Kapet me 200 policë vrasësi i 18-vjeçarit
As 24 orë nuk ka zgjatur arratia e vrasësit të një 18-vjeçari në Tiranë, i cili u godit dy herë me thikë pas një sherri banal. Autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, Elvis Meta, 24 vjeç, është prangosur nga policia e kryeqytetit mëngjesin e djeshëm, edhe pse janë dashur rreth 150 forca policie për të bërë krehjen e zonës ku ishte marrë informacion se fshihej ai. Bëhet fjalë për vrasjen e Jeton Ferhatit, i cili u godit me thikë dy herë në zemër ditën e mërkurë, teksa po qëndronte në një lokal te Rruga e Durrësit në Tiranë. Policia shpjegoi se Elvis Meta është kapur në një banesë te Bregu i Lumit. Ai kishte shfrytëzuar banesën e një shoku për t‘u fshehur, megjithëse plani i tij për arratisje nuk është realizuar. Që të mërkurën, policia mori informacion se ai ishte strehuar në zonën Institut-Babrru-Bregu i Lumit. Kështu, uniformat blu bënë krehjen e zonës, duke arritur të marrin informacion se ku ishte konkretisht i kërkuari. Ndërsa dje, rreth orës 11:00 është bërë goditja, duke e kapur në befasi 24-vjeçarin. Ai është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku e ka pranuar krimin dhe çdo veprim e ka marrë përsipër vetë, duke nxjerrë të pafajshëm vëllain e tij, vetëm 2 vjet më i vogël, Ervin Metën. Ai ka shpjeguar për policinë se sherri me Ferhatin kishte nisur të hënën, në vendin e quajtur Ura e Institutit. Aty kishin qenë duke udhëtuar të dy me motorë dhe gabimisht i kishte zënë rrugën. Për këtë arsye, mes tyre ka pasur një debat me ofendime, por më pas janë larguar të dyja palët. Ndërsa dy ditë më parë ata ishin parë sërish te lokali ku po qëndronte Ferhati. Jashtë kanë dalë për të sqaruar muhabetet, por në debat janë nxehur gjakrat. Kështu, Jeton Ferhati ka marrë një tullë dhe e ka goditur pas koke Metën. Ky i fundit ka nxjerrë një thikë dhe në përleshje e ka goditur dy herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Gjithë këto, Meta i ka pranuar për oficerin e policisë gjyqësore, duke deklaruar se vëllai i tij nuk kishte asnjë faj. Të gjithë dëshmitarët janë shprehur se ishin munduar t‘i ndanin dy të rinjtë, por nuk kishin ndërhyrë në konflikt. Për këtë arsye, policia e ka cilësuar këtë ngjarje të mbyllur, ndërkohë që Meta do të akuzohet për vrasje me dashje.