E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohej si polic, vidhte invalidët dhe të moshuarit

Ka marrë fund aventura e një 36-vjeçari, i cili prej disa muajsh kishte mësuar një mekanizëm të ri për të mashtruar njerëzit. Bëhet fjalë për personin që prezantohej si punonjës policie, ushtronte kontrolle dhe më pas vidhte çfarëdo që gjente në xhepat e të dëmtuarve. Krimin e ka kryer 20 herë, duke vënë në dyshim edhe vetë punonjësit e policisë se mund të ishte një prej tyre. Madje, për këtë motiv është angazhuar edhe Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që ka ndihmuar strukturat e Antikrimit për dokumentimin e çështjes. E pikërisht dje, nga strukturat e hetimit të policisë së kryeqytetit u finalizua operacioni policor i koduar "Hija", ku u arrestua në flagrancë Genci Sabri Xholi, 36 vjeç, lindur e banues në Laç. "Ky person, duke u paraqitur si punonjës i Policisë së Shtetit, dyshohet se ka vjedhur përmes mashtrimit mbi 20 shtetas, kryesisht të moshave të thyera dhe invalidë", ka deklaruar policia e Tiranës. Sipas grupit hetimor, që ka marrë edhe deklaratat e të dëmtuarve, 36-vjeçari, duke improvizuar kontrolle policore, ka vjedhur vlerat monetare që kishin me vete, si sende me vlerë, celularë dhe para. Finalizimi me sukses i këtij operacioni u bë pas një hetimi të përbashkët të strukturave të policisë së Tiranës dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Historia e tij mësohet se ka nisur që në muajin dhjetor, ndërkohë që në shkurt të këtij viti u shënua historia më e rëndë. Ai grabiti një tregtar, i cili po udhëtonte në drejtim të Tiranës. Gjithashtu ai ka grabitur disa të moshuar te rruga "Muhamet Gjollesha", si dhe në zonën e ish-Bllokut. Një rast tjetër ka të bëjë me një furgon që po shkonte drejt Elbasanit, kur u ndalua nga ai dhe filloi të kontrollonte pasagjerët, duke u marrë celularët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›