E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, ndryshojnë listat për 7 qarqe

TIRANË- Dy forcat e mëdha politike, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë ndryshuar listat e tyre të zgjedhësve.


Pas shkeljes së ligjit zgjedhor për përfaqësimin e grave në kuotën e 30%-it në listat e kandidatëve për deputetë, PD e PS kanë nxituar të riparojnë gabimin dhe gjatë ditës së djeshme, ndoshta edhe në mënyrë antiligjore kanë paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shkresat përkatëse për ndryshimin e listave shumë-emërore në 7 qarqet ku nuk e kishin plotësuar këtë kriter.


Socialistët


Partia Socialiste ka nxituar dje, pa kaluar listat për diskutim në KQZ, të bëjë ndryshimin e duhur për t'i sjellë ato në përputhje me Kodin Zgjedhor edhe përsa i përket përfaqësimit të grave. PS ka ndryshuar pikërisht listat në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit, ku nuk kishte përfaqësimin e duhur me gjininë femërore.


Në Shkodër socialistët kanë hequr nga lista, Helidon Belen dhe në vend të tij kanë vendosur Zana Golemin, pedagoge në Universitetin e Shkodrës. Ndërsa në qarkun e Kukësit lista pëson vetëm një ndryshim në renditje, por pa prodhuar një efekt real në atë që quhet lista potencialisht fituese.


Në listën e këtij qarku kandidatja Tatiana Kerxhaliu e renditur deri më tani e katra në listë ndërron vendin me Rexhep Ukperajn i cili mbante vendin e tretë. Një ndryshim formal është bërë edhe në qarkun e Lezhës, kandidati i fundit, Fran Marku ka pranuar të hiqet nga lista e kandidatëve për deputetë duke ia lënë vendin një kandidateje tjetër të gjinisë femërore, emri i së cilës nuk është bërë ende i ditur.


Por duhet theksuar se asnjëri nga tre ndryshimet e mësipërme nuk ka asnjë vlerë konkrete në produktin që pritet të dalë pas zgjedhjeve. Kjo për vet faktin se ndryshimet janë bërë në mënyrë krejt formale për të respektuar ligjin për barazinë gjinore dhe detyrimin e Kodit Zgjedhor për të pasur me doemos të paktën tridhjetë për qind e listës shumë-emërore, dhe/ose një në tre nga emrat e parë të saj përfaqësues nga secila gjini.


Të tre ndryshimet që i janë bërë këtyre tre listave nuk prekin emrat e parë dhe që kanë shanse për të fituar në zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit.


Demokratët


Pas evidentimit të një problemi të tillë me listat edhe demokratët nuk kanë mbetur pas dhe kanë bërë dje rregullimet në respektim të ligjit zgjedhor, duke plotësuar më së fundi detyrimin për të pasur 30 për qind të kandidatëve për deputetë nga gjinia femërore.


Ka qenë përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, ai që ka konfirmuar se lista është rregulluar gjatë ditës së djeshme, duke protokolluar në zyrën përkatëse të këtij institucioni propozimet konkrete.


Megjithatë ai nuk ka pranuar të bëjë publike ndryshimet e bëra, kjo për shkak se në dallim nga rasti i socialistëve, ndryshimi i listës për të paktën në një rast siç është qarku i Kukësit pritet të sjellë ndryshim direkt në listën fituese.


Kjo pasi në këtë qark për shkak të numrit të pakët të mandateve, pra vetëm katër një kriter i tillë ligjor plotësohet vetëm duke vendosur një kandidate femër në tre vendet e para, të cilat për këtë forcë politike pritet të jenë dhe fituese. Ndërsa për tre qarqet e tjera Berat, Dibër dhe Gjirokastër, janë hequr kandidatë meshkuj nga vendet e fundit duke u zëvendësuar me kandidate femra.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›