E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi në Kroaci, premtohet liberalizimi i vizave

Dy vendet angazhohen për përfundimin e aksit Adriatiko-Jonian dhe linjës detare e ajrore


TIRANË- Drejtuesit e lartë të shtetit kroat angazhohen për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. Premtimi i është dhënë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, gjatë një vizite zyrare të zhvilluar në Kroaci.


Presidenti shqiptar është pritur nga homologu Mesiç dhe kryeministri Sanader. Tema kryesor në axhendën e presidentit shqiptar ishte heqja e plotë e regjimit të vizave, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave si dhe nxitja dhe zhvillimi i bashkëpunimit në fushën e turizmit ku një rol të madh do të luanin edhe vendosja e një linje direkte ajrore Zagreb-Tiranë dhe e një linje të mundshme detare Durrës-Rijeka apo përfundimi i Korridorit infrastrukturor Adriatiko-Jonian.


Kryeministri Sanader gjatë takimit me presidentin Topi tha se një gjë e tillë do të bëhet sa më shpejt, duke e garantuar njëkohësisht se Kroacia do të japë gjithë ndihmën e nevojshme për përçimin e përvojës në drejtim të përmbushjes së të gjitha standardeve dhe realizimit të aspiratës integruese të vendit tonë në gjirin e familjes evropiane.


Në këtë drejtim u theksua rëndësia e reformës në sistemin gjyqësor, pavarësia e tij si dhe bashkëpunimi mes institucioneve të pavarura të drejtësisë. Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtare me të drejta të plotë në NATO, muajin e kaluar.


Presidenti Topi tha se anëtarësimi është një vlerësim tepër pozitiv për ecurinë e reformave rrënjësore në të dy vendet dhe për kontributin shumë të rëndësishëm që Shqipëria dhe Kroacia kanë dhënë dhe japin për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit, si dhe për praninë e tyre përkrah misioneve ushtarake të NATO-s, në Afganistan, Irak, Bosnjë-Hercegovinë.


Kosova ka qenë një nga pikat kryesore në takimet me drejtuesit e shtetit kroat. Presidenti shqiptar dhe kryeministri kroat konsideruan se e ardhmja e rajonit është stabiliteti i konsoliduar dhe zhvillimi i fuqishëm ekonomik, me lidhje të forta dhe partneriteti mes njëri-tjetrit dhe integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike.


Kryetari i shtetit është takuar gjithashtu edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar, që jetojnë në Kroaci. Gjithashtu ai u nderua nga Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç me "Urdhrin e Madh të Mbretit Tomislav me Brez dhe Yllin e Madh të Agimit", që është dhe urdhri më i lartë shtetëror i Republikës së Kroacisë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›