Përmasa dixhitale e konfliktit Rama-Berisha
Kartat e identitetit, një odise që nuk u ngjan grindjeve për certifikatat
Opozita nuk po arrin dot të bëhet aktor i fuqishëm në situatën parazgjedhore, ashtu siç ngjau në 2007, kur “certifikatat” arritën të ktheheshin nga një problem teknik në një problem politik dhe të shtynin zgjedhjet vendore. Njeriu që mbikëqyr procesin e dixhitalizimit të dokumenteve zgjedhore, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, jep raportimet e fundit në shifra për ecurinë e pajisjes me karta identiteti dhe shprehet i sigurt që para zgjedhjeve janë të gjitha mundësitë që ky proces të jetë i suksesshëm
Kartat e identitetit janë kthyer në argumentin politik të radhës për opozitën. I radhës, por jo i panjohur, pasi ngjan shumë me debatin e certifikatave në zgjedhjet e fundit vendore. Certifikatat u kthyen në bumerang të zgjedhjeve. Kjo s’do të ndodhë me kartat. Teknologjia këtë radhë është në anën e qeverisë dhe debati politik sa vjen dhe e humb kuptimin përpara sistemit modern dhe shpejtësisë, me të cilën po ecën procesi i pajisjes me karta identiteti para 28 qershorit. Sistem elektronik, i pari pas 19 vitesh demokraci, ku qytetarët duhej të prisnin duke shtyrë njëri-tjetrin një nëpunëse përtej xhamit që kërkonte pa fund emrin në një regjistër letre të zhubrosur. Ky ishte hapi i parë. Pas tij, vjen marrja e kartave të identitetit, ku shënohen të dhëna personale, shenjat e gishtërinjve, fotografia bardh e zi. Me këtë kartë çdo qytetar shqiptar ka një identitet dixhital të ngjashëm me qytetarët evropianë. Kështu, gramafoni i opozitës nxjerr një tingull që nuk po gjen vesh që ta dëgjojë. Tentativat për ta kthyer këtë debat në një debat jetësor për zgjedhjet, sa vijnë e po dështojnë. Kjo bën që Edi Rama të ndihet i pafuqishëm në këtë sherr paraelektoral, ndërkohë që me certifikatat ka qenë aktor i plotfuqishëm, duke mbajtur peng zgjedhjet deri në minutën e fundit të një marrëveshjeje politike. Kreu i PS-së tentoi që sidomos gjatë muajit që shkoi ta ngrinte këtë çështje në një çështje “ultimatumi” ndaj qeverisë. Ai vazhdon të mbajë gjallë në publik strategjinë e mos-hyrjes në zgjedhje, ose kërkesën për shtyrjen e tyre, ndërkohë që në anën tjetër i duhet të luajë rolin e moderatorit, duke kërkuar nga strukturat e partisë mobilizim për pajisjen e qytetarëve me karta. Ndryshe nga koha e “certifikatave”, tashmë debati politik ngec në një kohë dixhitale, ku sistemi modern kompjuterik po i jep mundësinë çdo qytetari të “identifikohet” para zgjedhjeve. Kryeministri Berisha qëndron në anën tjetër të debatit, por pa i hedhur benzinë zjarrit. E pse ta bëjë këtë? Ndërkohë ai dhe qeveria që drejton duket se po bëjnë të pamundurën, të gjejnë të gjitha mënyrat, rrugët, strategjitë që ky proces të mbyllet me sukses. Përmasat e këtij debati ka shumë të ngjarë që të mos na sjellin prapë në vëmendje tablonë konfliktuale të vitit 2007. Me ecurinë e aplikimeve për karta ka shumë të ngjarë që Rama dhe Berisha do të marrin kartat e tyre të identitetit dhe para zgjedhjeve do të merren me programet politike e jo me çështje teknike.
Një tablo shifrash
Ferdinand Poni është njeriu i kartave. Ai e ka ndjekur këtë proces që nga fillimi kur ishte vetëm një projekt, në hartimin e regjistrit elektronik shqiptar, që i parapriu këtij procesi, si dhe tani me raportet ditore të aplikimeve dhe pajisjes me karta identiteti. I kontaktuar nga “standard”, zv.ministri i Brendshëm, Poni, na dha një tablo në shifra të ecurisë së procesit. Një tablo e tillë në shifra bëhet çdo fund dite në Tiranë nga mbledhja e informacioneve nga operatorët në terren të gjendjes civile. Këto shifra i serviren më pas Kryeministrit, Komisionit Qendror Zgjedhor, komisionit parlamentar ad-hoc ngritur për këtë çështje në Kuvend, si dhe shumicës së përfaqësive diplomatike perëndimore, që ndjekin hap pas hapi procesin. Duket si një punë milingonash. Me mijëra njerëz që presin çdo ditë kuponët në zyrat e postave në gjithë vendin e më pas hedhin gjurmët e gishtave dhe fotografohen nga kamerat dixhitale. Gjithçka për një dokument, i cili do ta shpëtojë secilin nga ne nga radhët e certifikatave, që do t’i japë mundësi të nxjerrë më lehtë një vizë për jashtë vendit apo lehtësira të tjera të përditshme në kontaktet me burokracinë administrative. Duke folur për gazetën, numri dy i ministrisë e ç’tensionon situatën rreth kësaj çështjeje, tensionim që i jepet me doza të përditshme nga alarmet dhe ultimatumet e opozitës. Ai fillimisht na jep raportin më të freskët nga terreni, sipas të cilit, deri në datën 7 maj kanë aplikuar për karta identiteti 810 mijë e 778 shtetas, vetëm në ditën e fundit aplikimi ka kapur shifrën më të lartë, 15 mijë shtetas. Ndërsa prodhimi i kartave kap shifrën 810 mijë e 628 copë. Ndërkaq nga këto karta janë shpërndarë 603 mijë e 531 copë, nga të cilat janë tërhequr nga aplikuesit 353 mijë e 425 copë. Aktualisht janë në funksionim 470 stacione aplikimi. Poni thotë se pritshmëria është e lartë, pasi deri në datën 18 qershor kur është dhe dita e fundit e aplikimeve, sipas vendimit të qeverisë pritet të ketë dhe 700 mijë aplikime të reja, duke e çuar numrin në 1.2 ose në 1.3 milion aplikime për karta. Duke marrë shkas nga debati për qytetarët pa pasaporta, për të cilët këmbëngul dhe opozita, Poni thotë se pritshmëria për aplikime është më e lartë sesa numri i këtyre shtetasve, gjë që nënkupton se fare mirë kjo kategori mund të pajisen lehtësisht me karta gjatë kësaj kohë. Gjithashtu, lehtësia e fundit që iu bë duke ulur çmimin e kartës për këto persona në 2 mijë lekë të vjetra është nxitëse. Përveç kësaj lehtësie, këta persona kanë dhe kushte të tjera të favorshme për të marrë rrugën deri tek qendra më e afërt e aplikimit, siç është dhe kompensimi i biletës së udhëtimit. Me vendim qeverie, banorët që banojnë në komunat e largëta do marrin paratë e udhëtimit që kanë bërë deri tek qendra e aplikimit. “Ne do të ishim të shqetësuar po të mos ishin krijuar këto kushte për qytetarët”, - shprehet zv.ministri kur e pyesim nëse ndjen shqetësim për kohën e shkurtër që ka mbetur deri në zgjedhje. Ai thotë se e vetmja ndjenjë që ka është ajo e vëmendjes në ecurinë e procesit, por dhe një ndjenjë krenarie për përmasat dixhitale të krahasueshme me standardet evropiane.
Ndërsa problemet me disa qendra aplikimi nëpër komuna, sipas Ponit, nuk përbëjnë shqetësim. Qytetarët kanë të drejtë të aplikojnë në çdo qendër të ngritur për këtë punë në zyrat e gjendjes civile, duke mos e bërë të kushtëzuar këtë proces vetëm në vendbanimet e tyre. Ndërsa shqetësimet që ngre gati çdo ditë opozita, ai i quan loja e kungulleshkës, duke e ftuar atë që “të ndalojë së luajturi lojën e kungulleshkës dhe të bëhet pjesë e procesit, pasi jemi akoma herët nga fushata elektorale”.