E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet me armë Ylli Kelmendi, kundërshtoi forcat e policisë

TIRANE - Arrestohet Ylli Kelmendi, shoku i Mirit të Xhikes, biznesmenit të vrarë në vitin 2003. 

Personazhi i njohur në Tiranë, sipas burimeve zyrtare u arrestua pas konfrontimit me një polic të cilin e ka goditur në shenjë kundërshtimi për kontrollin e dokumenteve të makinës. Pas kontrollit efektivët e patrullës së përgjithshme i kanë bllokuar Ylli Kelmendit një pistoletë me 7 fishekë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 02:00 në rrugën “Punëtorët e Rilindjes”, mes Parlamentit dhe Komunitetit Mysliman, kur Ylli Kelmendi ka qenë duke udhëtuar me një mjet në drejtim të qendrës së kryeqytetit. Dy punonjës të patrullës së përgjithshme i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit të hapte krahun për një kontroll. Pasi kanë marrë të dhënat e para mbi personin, efektivët e patrullës së përgjithshme ia kanë dërguar ato sallës operative të Drejtorisë së Tiranës për verifikim. Nuk ka zgjatur shumë dhe përgjigjja e tyre ka qenë në radio: “I dënuar disa herë dhe duhet të kontrollohet për sende të paligjshme”. Menjëherë pas kësaj, efektivët e patrullës së përgjithshme i kanë kërkuar Ylli Kelmendit t’i lejojë për një kontroll fizik atij dhe automjetit. Kjo kërkesë e ka nervozuar Ylli Kelmendin, i cili ka kundërshtuar të veprojë siç i është kërkuar nga punonjësit e policisë. Efektivët blu kanë këmbëngulur dhe kanë nisur të veprojnë me forcë, ndërsa njeriu i njohur si miku i Mirit të Xhikes, ka goditur njërin prej tyre. Pas këtij veprimi, në radio është lajmëruar për incidentin ndërsa dy punonjësit e patrullës e kanë mbërthyer duke kërkuar përforcime. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe një autopatrullë tjetër në mbështetje të patrullës së parë. Gjatë kontrollit në mjetin e Kelmendit, policia i ka gjetur edhe armën, një pistoletë “TT”, me 7 fishekë që mbahej pa leje prej Ylli Kelmendit. Sipas policisë, 44-vjeçari është dërguar menjëherë në ambientet e komisariatit nr.1. Atij i është komunikuar akuza e “armëmbajtjes pa leje”, “kundërshtimit me dhunë” dhe “goditjes së forcave të policisë në krye të detyrës”.              d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›