E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritoli shkatërron urën e Kallmetit

Rruga-urë që lidh disa fshatra të Lezhës dhe Shkodrës është shkatërruar në një pjesë të saj, pasi persona ende të paidentifikuar i vunë tritol gjatë natës. 

Shpërthimi që tronditi banorët e fshatrave përreth është dëgjuar edhe në qytetin e Lezhës. Policia tha se ngjarja ka ndodhur në orën, 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Ndërkaq, pista kryesore e hetimit mbetet një konflikt i vjetër i banorëve të komunës së Kallmetit me pronarët e një fabrike tulle, që ndodhej afër vendit të ngjarjes. Makineritë e firmës që merrnin në pronat e tyre dheun për tullat kishin dëmtuar së tepërmi tokat. Ankesa e banorëve kishte bërë të reagonte edhe këshilli i Komunës. Kjo e fundit kishte vendosur pak ditë më parë për moslejimin e kësaj firme për të marrë dheun në fshatin Merçin të Kallmetit. Ura është dëmtuar së tepërmi pasi sasia e eksplozivit ishte vendosur në hyrje, mbi sipërfaqe, duke krijuar një çarje të madhe në tabanin e saj. Aktualisht është ndërprerë kalimi i automjeteve, duke paralizuar lidhjen e disa fshatrave me qytetin. Për fat të mirë, ky shpërthim, për të cilin banorët thanë se ishte shumë i fuqishëm, nuk ka shënuar viktima. Për momentin, puna në fabrikën e tullave, me të cilën banorët ishin në konflikt, është ndërprerë. Makineritë e kësaj firme e kanë të pamundur të kalojnë urën për t'u mbushur me dhe. Pikërisht ky dyshohet të jetë edhe shkaku që ka detyruar banorët e zonës të dëmtojnë urën, në mënyrë që të shpëtojnë nga gërryerja tokat e tyre. Pas ngjarjes, policia ka mbërritur në vend, ndërkohë që janë shoqëruar 25 persona, të cilët janë marrë në pyetje pasi dyshohet të kenë dijeni për shpërthimin. Ata kanë pohuar konfliktin me firmën e tullave, por nuk kanë pranuar autorësinë. Sipas tyre, firma që merrte dheun në fshatin Mërçin për të prodhuar tulla kishte bërë që në parcelat ku merrej lënda e parë, të krijoheshin gropa të mëdha. Gjatë reshjeve ato mbusheshin me ujë, por njëherazi përmbytnin edhe tokat e banorëve të zonës. Ky shqetësim ishte ngritur më parë edhe në komunën Kallmet, derisa një javë më parë këshilli i komunës mori vendimin për të mos lejuar firmën të merrte dhe në këto zona. Banorët janë ankuar gjithashtu edhe për të mbjellat e tyre, të cilat i dëmtonin makineritë e së njëjtës firmë. Tre ditë më parë, policia e Lezhës kishte shkuar tek fabrika e tullave nga ku drejtuesve të saj u ishte kërkuar zbatimi i vendimit të këshillit të komunës.                        r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›