E Diel, 1 Nëntor 2026

Klinika vullnetare, vizita pa licencë fëmijëve të abuzuar

Klinika mjekësore “ABC” ka lëshuar raportin për impotencën e anglezit David Brown, të akuzuar për pedofili, ndërkohë në të njëjtën klinikë janë ekspertuar edhe të miturit e strehuar në fondacionin “Fëmijët e tij” që drejtohej nga anglezi. 

Emri i klinikës u mbajt sekret gjatë seancës gjyqësore ku dëshmuan prindërit e një 8-vjeçari, i cili në moshën 4-vjeçare, ishte abuzuar seksualisht ndërsa jetonte në fondacion. Prindërit e tij pohuan para gjykatës se, djali i tyre përpara se të vizitohej nga ekspertët mjeko-ligjorë në kohën kur nisën hetimet ndaj Brown, ishte dërguar nga drejtuesit e qendrës për t’u vizituar në klinikën “ABC”. Ndërkohë e gjithë ecuria e shëndetit të tij kontrollohej nga e njëjta klinikë. Prindërit pohuan në gjyq se klinika kishte dijeni për abuzimin seksual ndaj të miturit dhe ua kishte fshehur atyre. Gjatë procesit rezultoi se e njëjta klinikë kishte lëshuar një raport për impotencën e të pandehurit Xhon David Brown, me të cilin ai është mbrojtur vazhdimisht duke e përdorur si alibi. Por këto të dhëna u hodhën poshtë nga prokurori i çështjes Kolë Hysenaj, i cili solli në gjykatë raporte të mjekëve-ligjorë që vërtetojnë të kundërtën. Ndërkohë televizioni “Top-Channel” komunikoi dje me drejtuesin e “ABC”, Guy Eshelman, po ashtu vullnetar prej vitesh në këtë klinikë, i cili u përmend në gjykatë si mjeku që kishte firmosur për impotencën e Brown, i cili nuk preferoi të jepte informacione, duke i konsideruar sekret profesional. Ndërkohë më tej rezultoi se data e licencimit të klinikës ishte viti 2007, ndërsa skandali seksual dhe koha kur vizitoheshin fëmijët i përket vitit 2005.                       f.m.

Si u zbulua klinika “mashtruese”
Në seancën gjyqësore të tri ditëve më parë, i akuzuari për pedofili John David Brown paraqiti në gjykatë një ekspertizë mjekësore ku pretendonte se ishte impotent, duke pretenduar të mohonte abuzimet seksuale me të miturit. Prokurori paraqiti ekspertiza të mjekëve shqiptarë që hidhnin poshtë raportet mjekësore që David Brown kishte bërë tek klinika “ABC”, duke zbuluar kështu mashtrimin e saj në këtë rast dhe gjatë vizitave të fëmijëve të abuzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›