E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, do rriten këstet e kredive

Banka Qendrore Evropiane me seli në Frankfurt ka rritur dje normën orientuese të interesit në zonën e euros, ashtu si pritej nga 4.0 në 4.25%.Me këtë veprim, Banka Qendrore i kundërvihet inflacionit në rritje pas krizës financiare që vazhdon për më shumë se një vit. 

Përqindjet e shtrenjtimit në unionin euro kanë shënuar vlera rekord për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe lëndëve ushqimore. Vlera e fundit e inflacionit kap shifrën 4 për qind.  Por ky veprim nuk ka vetëm ndikim në Evropë. Pothuajse të gjitha bankat në Shqipëri e kanë të bazuar normën e interesit te norma bazë e Bankës Evropiane. Çdo rritje e saj do të sillte ndikim të euribor, një njësi interesi, e dëgjuar shpesh nga të gjithë ata që kanë marrë kredi në euro. Në shumicën dërrmuese të rasteve, bankat në Shqipëri japin kredi duke i shtuar 2 ose më shumë për qind kësaj norme interesi. Rritja e normës së interesit nga Banka Qendrore, do të thotë se shumë shpejt do të ketë një rritje të normës së interesit të euribor dhe, si rrjedhojë edhe rritje të normës së interesit të kredive të dhëna me euro në Shqipëri. Nga ana tjetër, rritja e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore do të sjellë edhe mbivlerësim të euros. Pra, monedha evropiane do të bëhet më e shtrenjtë në krahasim me lekun. Rrjedhojë tjetër negative do jetë për të gjithë ata që kanë marrë kredi me euro dhe i kanë të ardhurat në lekë. Më thjesht, veprimi i djeshëm i Bankës Qendrore do të shtojë normën e interesit të kredisë në euro dhe do të rrisë kursin e këmbimit të euros me lekun. Dy ngjarje që ndikojnë direkt negativisht në xhepat e atyre që kanë marrë kredi. Tani i ngelet Bankës së Shqipërisë që të gjejë një zgjidhje për të amortizuar këtë risk. Një mënyrë mund të jetë forcimi i lekut. Ka shumë mundësi që rritjen e normës bazë të interesit në Evropë ta kopjojë edhe Banka e Shqipërisë. Në këtë mënyrë, kursi i këmbimit mund të ruhet i njëjtë, pasi rritja e normës së interesit të lekut do të bënte atë më të vlerësuar. Por duke përjashtuar borxhlinjtë që kanë marrë kredi në euro, favorizohen të tjerët. Ata që kanë depozita në euro. Vlerësimi i euros dhe rritja e normës së interesit, do t’i bëjë depozituesit më të pasur. Sidoqoftë, nuk dihet politika e bankave në vend, nëse i qëndrojnë edhe në rastin e normës së depozitave besnik vendpirimeve të Bankës Qendrore Evropiane.

Paralajmërohet krizë ushqimi

Pak ditë para fillimit të Samitit të G8-ës në Japoni, presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, ka paralajmëruar nga rreziku i pasojave dramatike të ngritjes së çmimeve të energjisë dhe të ushqimeve. Zoellick tha në Uashington se bota është duke rrëshqitur në një zonë të rrezikshme. Në një letër drejtuar pjesëmarrësve të Samitit, ai kërkoi ndihma financiare për vendet më të varfra. Nuk kemi të bëjmë me një katastrofë natyrore, por jemi dëshmitarë të një katastrofe të shkaktuar nga njerëzit, e cila duhet rregulluar përsëri po nga njerëzit. Më parë FMN-ja kishte paralajmëruar nga rreziku i krizave të urisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›