E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera: Gati ligji për garantimin e të drejtave

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, priti dje në një takim, përfaqësuesin e UNICEF-it në Shqipëri, Detlef Palm. Tema kryesore e takimit ka qenë diskutimi rreth projekteve të përbashkëta që po realizohen në fushën e përmirësimit të legjislacionit dhe ngritjes së strukturave eficente për mbrojtjen e fëmijëve. "Bashkëpunimi ynë në fushën e njohjes dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve është shumë i rëndësishëm dhe i shërben objektivit të përbashkët, përafrimit të standardeve të Shqipërisë me vendet e BE-së, në përmbushje të objektivit për integrimin e vendit tuaj në familjen europiane", theksoi Palm. Ministri Ksera garantoi se shumë shpejt do të kalojë në Këshillin e Ministrave për miratim Ligji mbi të Drejtat e Fëmijëve, i hartuar me ndihmën e ekspertëve të UNICEF. Ky ligj ka kaluar në një proces të gjerë konsultimi me të gjithë aktorët e interesuar dhe do t‘i vendosë të drejtat e fëmijëve në plan të parë dhe detyrat e institucioneve për garantimin e këtyre të drejtave do të jenë më konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›