E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Te mosha e tretë, fjala shëron

Etika dhe komunikimi sa më i mirë i punonjësve të shërbimit shëndetësor parësor ka qenë tema kryesore e takimit që ka zhvilluar dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, me drejtues të shërbimit parësor. Ministri është ndalur në disa momente të rëndësishme ku ndër të tjera e ka vënë theksin në cilësinë e lartë të shërbimit përmes kryerjes me mirësjellje të detyrës ndaj çdo qytetari në kryeqytet. Përdorimi i një komunikimi joprofesional ndaj pacientëve, veçanërisht ndaj atyre të moshuar do të bëhet shkak për largimin nga detyra të çdo mjeku që e bën një gjë të tillë, ka paralajmëruar dje ministri.

"Shprehja ‘Fjala shëron‘ do të jetë motoja e shërbimit tonë duke mos lejuar që asnjë pacient të dalë i lënduar nga gjuha e keqe e kujtdo", theksoi Vasili. Pika tjetër e rëndësishme e takimit ka qenë edhe toleranca zero ndaj çdo mjeku dhe infermieri që do të luajë rolin e sekserit me pacientët, duke i drejtuar këta të fundit për ekzaminime laboratorike në strukturat private, ndërkohë që strukturat shtetërore i kanë të gjitha kapacitetet e duhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›