E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet tensioni në Orikum, banorët përplasen me policinë

Pas disa ditësh bllokimi të punimeve nga ana e ish-punonjësve të Ndërmarrjes Bujqësore të Orikumit, për ndërtimin e disa pallateve në qendër të qytezës, dje më shumë se katër furgonë policie kanë zbarkuar pranë këtij vendi për të zhbllokuar situatën. Por mbërritja e uniformave blu ka acaruar protestuesit, duke shënuar dhe incidente mes palëve.

Ka qenë ora 08:30 e mëngjesit të djeshëm kur në afërsi të qendrës së Orikumit, ku po ndërtohen pallate kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë bërë dhe rrethimin e vendit dhe kanë ndërhyrë për largimin forcërisht të banorëve, të cilët prej disa ditësh nuk kanë lejuar vijimin e punimeve në njërën prej gropave të hapura, ku do të ngrihet një pallat shumëkatësh.

Duke parë këtë situatë, janë mbledhur dhe njerëz të tjerë duke bërë që numri i protestuesve të shkonte në rreth 300 veta, ndërsa acarimi i situatës mes tyre dhe forcave të rendit vazhdonte të rritej. Shumë prej banorëve u shoqëruan në Komisariatin e Vlorës, ndërsa disa të tjerë u gjendën në dyert e policisë duke kërkuar që të liroheshin të afërmit e tyre.

Protestat në Orikum kanë nisur pas rifillimit të punimeve në një sipërfaqe prej 450 hektarësh, që ish-punonjësit e Ndërmarrjes Bujqësore e kanë përfituar në bazë të ligjit. Disa kohë më parë ata nuk lejuan për rreth dy orë punonjësit e bashkisë të hynin në ambientet e saj, por situata u qetësua pas bllokimit të punimeve.

Mi.Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›