E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me eksploziv kampioni i Europës ne peshengritje

TIRANE-Arrestohet për trafik municionesh dhe mbajtje detonatorësh për eksploziv, kampioni shqiptar i kampionatit europian të shtangës për të rinj, Daniel Godelli. 18-vjeçari u ndalua dje në portin e Vlorës teksa hynte në tragetin për në Itali me 100 fishekë pistolete.

Daniel Godelli u bë i famshëm në korrik të vitit 2008, kur ai u shpall kampion i Evropës në stilin e shkëputjes për 17-vjeçarë në Amiens të Francës.

Ka qenë një kontroll rutinë i kryer nga policia kufitare në kalatën e portit të Vlorës, që ka zbuluar fishekët në çantën personale të Godellit. Gazeta Shqiptare shkruan se shtangisti është shoqëruar në komisariat ku dhe i janë hedhur prangat për akuzën e mbajtjes dhe trafikut të municioneve. Hetimet jane marrë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

GSH shkruan sot se “Sipas burimeve dyshohet se Godelli ka pasur sasinë prej 100 fishekësh pistolete për t’u dërguar si mostra blerësve në Itali dhe më pas, ndoshta mund të nisej ndonjë ngarkesë me municione”.

Një grup i policisë së Elbasanit ka kryer kontroll në banesën e Godellit në Peqin. Në shtëpinë ku ndodhej vetëm e ëma janë gjetur 80 fishekë të tjerë, si dhe 4 copë detonatorë për eksploziv.
Vetë kampioni europian për të rinjtë mësohet se nuk ka dhënë shpjegime për policinë në momentin e arrestimit. Burimet thanë se ai ka kërkuar të konsultohet më parë me avokat.
Policia shoqëroi edhe të atin Sulejmanin, i cili është lënë i lirë pasi ka dhënë deklarimet e tij me shkrim për rrethanat e gjetjes së municioneve.

Në kampionatin europian që i zhvillua në 2009 në Durrës Daniel Godelli u shpall kampion i Evropës për të rinj edhe pse ishte vetëm 17 vjeç, në peshën 62 kg. Ai mori dy medalje ari në shkëputje dhe dygarësh, si edhe një argjendi në stilin e shtytjes. Ky ishte rezultati më i mirë i peshëngritjes shqiptare në këtë kampionat, ndërkohë që Godelli u konfirmua si një prej talenteve më të mëdha të shtangës në vitet e fundit. Ai ka marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtarë, si dhe regjistron gjithsej pesë medalje.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›