E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga ish-kampionit të Europës në Peshëngritje

PEQIN- Policia e Peqinit ka shoqëruar në polici ish-kampionin e Europës në Peshëngritje, Daniel Godellin. Ndalimi i peshëngritësit është bërë për armëmbajtje pa leje. Godelli ishte duke udhëtuar drejt Vlorës në kohën kur u kap me fishekë e detanatorë, ndërsa destinacioni i tij ishte Italia.

Pas arrestimit të tij, policia ka bërë edhe një kontroll në banesë, ku ka gjetur municione luftarake. Pas kontrollit në banesë, policia ka shoqëruar në polici edhe të atin e peshëngritësit Sulejman Godelli. Operacioni u zhvillua nga policia e Vlorës dhe ajo e Elbasanit.

Daniel Godelli i datëlindjes 10 janar 1992 u bë i famshëm në korrik të vitit 2008, kur ai u shpall kampion i Evropës në stilin e shkëputjes për 17 vjeçarë në Amiens të Francës. Por, fama e tij u rrit një vit më pas, në kampionatin europian që u zhvillua në Durrës. Në peshën 62 kilogramë, Godelli u shpall kampion i Evropës për të rinj edhe pse ishte vetëm 17 vjeç.

Ai mori dy medalje ari, në shkëputje dhe dy garësh, si edhe një argjendi në stilin e shtytjes. Madje, në këtë stil dështoi vetëm për shkak të peshës trupore (43 kg) ndaj moldavit Aleksandër Spac. Ky ishte rezultati më i mirë i peshëngritjes shqiptare në këtë kampionat, ndërkohë që Godelli u konfirmua si një prej talenteve më të mëdha të shtangës në vitet e fundit. Ai ka marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtarë si dhe regjistron gjithsej pesë medalje. Një nga objektivat e tij kryesorë ka qenë të shpallet kampion bote, gjë që ende nuk e ka arritur.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›