E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, Mjeket: Duam rroga te diferencuara

TIRANE- Shefat e shërbimeve të Qendrës Universitare Spitalore "Nënë Tereza" kërkojnë rritje të
diferencuar pagash për mjekët, më shumë investime dhe zgjerim të skemës së sigurimeve për të përmirësuar shërbimin ndaj pacientit.

Ata kanë paraqitur dje para deputetëve të komisionit parlamentar të Shëndetësisë, kushtet që do qonin në përmirësimin e shërbimit ndaj të sëmurëve.

Mjekët kanë kërkuar gjithashtu dhe rritje të masës së pagesës së kontributeve të sigurimeve shëndetësore.

Në takimin e zhvilluar dje, me drejtuesit e këtij institucioni dhe shefat e pavijoneve, deputetët kanë kërkuar mendime dhe propozime që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor.

Sipas Mihal Tases, shef shërbimi tek sëmundjet e brendshme rëndësi ka skema e sigurimeve shëndetësore. "E rëndësishme është zgjerimi i skemës së sigurieve, pra që numri i atyre që paguajnë të jetë më i madh në mënyrë që shërbimet t'i përfitojnë falas, - ka shpjeguar Tase, - por një tjetër pikë e rëndësishme është edhe rritja e kësaj pagese. Jemi vendi që paguajmë më pak për shëndetin, vetëm 3.4 për qind", - ka përfunduar Tase. Ndërkohë shefi i shërbimit të Kardiologjisë, Artan Goda, ka propozuar që investimet në sektorin shëndetësor të shkojë aty ku janë edhe pikat më të nxehta të tij. Nga ana tjetër, sipas Godës, spitali të shihet si ent publik ku të ketë buxhetin e vet.
Shefat e pavionëve kanë kërkuar dhe stimulim të diferencuar që duhet t'i bëhet personelit shëndetësor, sipas punës që ata kryejnë. Kreu i Komisionit Parlamentar, Tritan Shehu, ka pohuar se baza ligjore me cilën po punohet është shumë e realizuar, por duhet të ketë zbatim të saj. Sipas tij QSUT është e vetmja Qendër Spitalore kuruese dhe edukative në vend ndaj duhet të jetë edhe vëmendja më e madhe.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›