E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me heroinë, pranga një 25-vjeçari

Kapet me 2 gramë heroinë, prangoset një 25-vjeçar nga Tirana. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se pasditen e së enjtes, është prangosur 25-vjeçari Dorian Xhafa, lindur në fshatin Perondi dhe banues në Tiranë. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se i riu, prej disa muajsh udhëtonte shpesh nga kryeqyteti për në vendlindje, pa e ditur se ka qenë në survejim të specialistëve të Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, të cilët kanë pasur informacion, se ai merrej me shitje të lëndëve narkotike. I riu qëndronte në lokalin e shtetasit me iniciale E.V., ku dhe shiste lëndën narkotike të llojit "kokainë". Gjithmonë sipas variantit zyrtar të policisë, kjo tregti ka vijuar disa muaj me radhë, deri sa dy ditë më parë, pas një informacioni të saktë, se 25-vjeçari do të nisej nga Tirana për në Kuçovë, dhe se me vete dyshohej se kishte lëndë narkotike, strukturat e specializuara të policisë së shtetit organizuan operacionin për kapjen e tij. Në momentin e ndalimit, i riu kishte me vete rreth 2 gramë lëndë narkotike e llojit "kokainë", të cilën ai po e shiste përpara lokalit të shtetasit me iniciale E.V. Materialet tashmë i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat dhe po punohet për zbardhjen e rrjetit të tregtisë së lëndës narkotike.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›