E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, çështja kyçe e programit të LSI

06/04/2005  Konventa miraton postin e zëvendëskryetarit të partisë

Lëvizja Socialiste për Integrim premton një proces legalizimi të plotë e transparent për të gjithë ata banorë të vendosur në zonat informale. Ky premtim për LSI-në vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore, me të cilat kjo forcë poltike do të bazojë fushatën e saj elektorale, në një pjesë të konsiderueshme të qyteteve kryesore të vendit. Ilir Meta në Konventën e Parë Kombëtare i ka kërkuar të gjithë shqiptarëve që të votojnë për forcën e tij politike në mënyrë që t'i jepet fund riciklimit tragjik të politikës së vjetër në Shqipëri, duke e afruar vendin drejt integrimit në strukturat euroatlantike. Në Konventën e parë Kombëtare, Meta ka vënë theksin në pikat ku do të bazohet programi i ardhshëm i qeverisë së tij.

Platforma

Në programin politik të LSI-së, një vend të veçantë do të ketë "krijimi i politikave mbrojtëse nga shteti të bizneseve të vogla dhe të mesme, për t'i dhënë fund monopoleve të shtetarëve". Gjithashtu, një nga sfidat e LSI-së, është ngritja e një sistemi politik të ri në funksion të vlerave dhe standardeve për të krijuar politika të reja, të cilat do të jenë në shërbim të qytetarit. Gjithashtu, LSI premton modernizimin e sistemit arsimor, rritjen e pagave të mësuesve dhe pedagogëve. Këto janë cilësuar pjesë e politikave sociale që LSI-ja synon të realizojnë në rast se do të vijë në pushtet. Në këtë kuadër, vëmendje do t´i kushtohet mëkëmbjes së infrastrukturës shëndetësore dhe personeleve mjekësore. Në programin e saj, LSI-ja mbështet dhe fermerët për të nxitur zhvillimin e prodhimit bujqësor, e cila, sipas Metës, "po shkon drejt falimentimit të plotë, për shkak të interesave të ngushta të importuesve ministra".

Thaçi

Konventën e LSI-së e kanë përshëndetur dhe nderuar me pjesëmarjen përfaqësues të partive të rajonit dhe të spektrit të majtë të politikës shqiptare. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosvës, Hashim Thaçi, e ka vlerësuar Konventën si një moment të rëndësishëm në procesin zgjedhor të kësaj vere në Shqipëri, duke e cilësuar LSI-në si faktorin që do të çojë Shqipërinë në rrugën e integrimit.

Ndryshimet në statut

LSI ka vendosur dje përmirësime në statut, duke shtuar dhe një sekretariat për Marrëdhëniet me Jashtë. Konventa miratoi krijimin e postit të zëvendëskryetarit të partisë, pa anashkaluar tre nënkryetarët dhe sekretarin e Përgjithshëm. Kryesia e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së nuk do të ndryshojë, pasi zbatimi i parimit "një anëtar, një votë", ka rikonfirmuar drejtimin e kësaj strukture nga anëtarët aktualë. Ndërkohë, sot Konventa e LSI-së do të zhvillojë procesin e votimit për të zgjedhur 151 anëtar të e KDK-së nga 220 kandidatë të mundshëm.

Tauland Balla

Me cilësinë e përfaqësuesit të delegacionit monitorues për Konventën e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga ana e Internacionales Socialiste, Tauland Balla, ka thënë për "Metropol" se "LSI-ja si çdo inciativë e re politike duhet vlerësuar nga qëllimi që është frymëzuar, nga organizimi i statutit së veprimit politik dhe nga vlerat dhe kapacitetet e burimeve njerëzore, që kjo forcë është krijuar. Në të tria këto dimensione, LSI-ja ende nuk ka një opinion të qartë politik". Pas mbarimit të punimeve të Konventës, Balla do t'i drejtojë raportin e tij institucionit të Internacionales Socialiste. Ndërkohë që ai ka shprehur rezervat e tij për një bashkëpunim të mundshëm mes dy forcave politike pas zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›