E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajdutët vjedhin shtëpinë e policit

Hajdutët nuk tremben as nga uniformat blu. Vidhet pistoleta dhe shtëpia e agjentit të policisë kriminale në Durrës. Ky i fundit kishte shkuar bashkë me familjen në plazh, por kur është kthyer ka vënë re që është bërë objekt vjedhjeje. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se dje është konstatuar vjedhja e shtëpisë në Shkozet të agjentit Shkëlqim Gjeci, 38 vjeç nga Durrësi. Lidhur me këtë ngjarje, kolegët dhe përfaqësues të organit të akuzës kryen veprimet e para hetimore. Nisur nga deklarimi i pronarëve të banesës, në të janë vjedhur një pistoletë e tipit TT, e cila është arma personale e punonjësit të policisë, 100 mijë lekë të reja dhe disa bizhuteri. Ngjarja ka ndodhur në momentet që në shtëpi nuk ka pasur njeri, pasi agjenti i antikrimit, së bashku me të shoqen dhe dy fëmijët, ndodheshin me pushime në plazh. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bënë të ditur se ka nisur puna për identifikimin e kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, që shkon përtej një vjedhjeje të zakonshme, pasi mes objekteve të marra është dhe pistoleta e shërbimit, pronë e Policisë së Shtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›