Durrës,grabiten dy pushues nga Kosova
Pushuesit kosovarë grabiten sërish në plazh. Një ditë më parë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës janë paraqitur shtetasit R. Thaçi, 17 vjeç dhe V. Spahiu, 16 vjeç, të dy nga Prizreni, të cilët kanë denoncuar para uniformave blu të qytetit bregdetar grabitjen që u është bërë nga disa persona në plazh. Të rinjtë kanë pohuar se janë vjedhur me dhunë rreth orës 24.00 të dy ditëve më parë, në kohën kur ishin duke bërë shëtitje në bregun e detit pranë një hoteli që ndodhet në lagjen 13 Plazh Durrës. Ata kanë treguar se disa të rinj u kanë dalë përpara dhe pas dhunës së ushtruar ndaj tyre, kanë mundur t‘u grabisin sendet personale, si telefon celular, varëse dhe byzylyk sermi, 100 euro dhe më pas janë larguar me shpejtësi, duke përfituar edhe nga errësira e natës. Policia lokale deklaroi se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi njëri prej tyre njihet fizikisht nga të dëmtuarit. Ndërkohë kanë nisur hetimet për vjedhje me dhunë në bashkëpunim.