E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet në pyll trupi pa jetë i një burri

Gjendet trupi pa jetë i një burri, enigmë shkaqet dhe identiteti i viktimës. Ka qenë ora 12.30 minuta e ditës së djeshme, kur disa banorë të fshatit Shëlli, në Komunën e Macukullit të rrethit Mat, kanë gjetur në pyllin e këtij fshati trupin e pajetë të një personi. Menjëherë ata kanë njoftuar policinë dhe ekspertë kriminalistë të Komisariatit të Policisë Mat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Pas ekspertizës së kufomës dhe mbledhjes së dëshmive të para, grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, e cila mendohet të jetë aksidentale. Burime nga policia saktësojnë se me të marrë informacion kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë gjetur trupin e pajetë të një personi të seksit mashkull, me moshë rreth 60 vjeç. Po sipas këtyre burimeve, pohohet se vdekja mund të ketë ardhur nga shpërthimi i një bombole gazi, e cila është gjetur në afërsi të trupit të pajetë të viktimës. Gjithsesi do të jenë hetimet e mëtejshme ato që do të zbardhin identitetin e viktimës dhe shkaqet që çuan në humbjen e jetës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›