E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia asgjëson edhe 854 rrënjë kanabis sativa

Vijojnë aksionet e policisë për gjetjen dhe asgjësimin e parcelave me kanabis sativa. Paraditen e së martës, agjentët e antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier kanë finalizuar dy aksione me asgjësimin e 854 rrënjëve lënde narkotike, të gjetura në Kutë të Mallakastrës dhe Gorishovë të Cakranit. Parcela e parë është gjetur në fshatin Gorishovë, fshat ky rreth 1 km larg nga komuna dhe rreth 19 km larg nga qendra e Fierit. Burimet zyrtare policore shprehen për gazetën "Shqip" se ka qenë inspektori i rendit në Komunën e Cakranit që ka njoftuar se kishte informacion operativ për ekzistencën e kësaj parcele, e cila u dyshua fillimisht se ishte me hashash. Rreth orës 08.00 të mëngjesit të së martës, agjentët e antidrogës kanë "zbarkuar" në Gorishovë, pranë vendit të sinjalizuar nga kolegu i tyre dhe kanë identifikuar nga afër parcelën. Mësohet zyrtarisht se janë gjetur rreth 162 rrënjë që ishin të një gjatësi mbi 2 metra. Sipërfaqja ku ishte kultivuar hashashi ishte tokë publike. Parcela ishte e maskuar me gardh ferrash rreth e rrotull, madje sipas policisë, autorët ishin kujdesuar aq shumë për fshehjen e hashashit, sa kishin arritur të vendosnin edhe drurë frutorë dhe shkurre të tjera mes rreshtave me hashash. Policia ka bërë prerjen dhe asgjësimin me djegie të të gjitha rrënjëve të gjetura. Gjithashtu, policia është vënë në kërkim të autorëve. Janë marrë në pyetje banorët e zonës pranë vendit ku u gjet parcela. Kjo e fundit ishte vetëm pak metra larg shtëpive dhe ndodhej shumë pranë rrugës që të shpie në fshatin Sulaj dhe Gurëzezë, ose siç njihet ndryshe pranë Përroit të Mahilajve. Aksioni i policisë ka vijuar në fshatin Kutë të rrethit Mallakastër. Nga ky kontroll dhe konkretisht në vendin e quajtur Shkëmbi i Katofisë të këtij fshati u gjendën të kultivuara 692 rrënjë të ngjashme me ato të bimës narkotike kanabis sativa, me lartësi nga 1.9 m deri 3 m. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore rezultoi se parcela në të cilën ishin kultivuar këto bimë, është pa pronar. Pas marrjes së një kampioni u bë asgjësimi i të gjitha rrënjëve të kapura.

Kujtojmë se gjatë dy javëve të fundit, janë identifikuar katër raste kultivimi me hashash në rrethin e Mallakastrës, e më konkretisht në Komunën e Poçemit, në fshatin Drizar dhe Klos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›