Kapet me marijuanë, pranga ish-gardistit
Kapet me marijuanë, prangoset ish-gardisti. Ka qenë një operacion i koduar i Policisë së Qarkut Gjirokastër, ajo që ka bërë të mundur bllokimin e 100 kg lënde narkotike e llojit marijuanë, që çoi dhe në prangosjen e këtyre personave, mes tyre një studenti dhe një lazarioti.
Operacioni“Shëtitësit e natës” ka qenë operacioni i koduar i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës që ka bërë të mundur bllokimin e sasisë së konsiderueshme të lëndës narkotike dhe ndalimin e tre personave. Të ndaluarit janë Agim Avduli, 39 vjeç nga Lazarati, Mariglen Comani, 24 vjeç, ish-punonjës i Gardës, Fatjon Comani, 19 vjeç, student i Infermierisë në Gjirokastër, që të dy nga Tepelena.
Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se lënda narkotike ishte fshehur në automjetin tip “Benz”, me targa TP 3130 B dhe kishte destinacion Tiranën. Të njëjtat burime saktësojnë se lënda narkotike ishte fshehur në bagazhin e automjetit të ndaluar, e ndarë në 10 pako në formë cilindrike, me peshë 10 kg. Mësohet se droga vinte nga Lazarati, ku ishte mbledhur nga 39-vjeçari Avdyli dhe kishte për destinacion kryeqytetin. Ndalimi i tyre është bërë në afërsi të qytetit të Tepelenës.
Ky është rasti i 12 gjatë që Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bllokon në jug të vendit lëndë narkotike të paligjshme.
#