E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet për hakmarrje me plumb në kokë 52-vjeçari

Elbasan Policia prangos tre persona. I vëllai i viktimës kishte ekzekutuar në Spanjë vëllain e njërit prej tyre

Ekzekutohet për hakmarrje me një plumb pas koke një 52-vjeçar nga Elbasani. Viktima është gjetur i pajetë mbrëmjen vonë të së premtes, ndërkohë që policia, pas disa orë hetimesh, ka ndaluar 3 persona si autorë të dyshuar të ngjarjes. Ata janë: Ibrahim Caka, 31 vjeç, Elton Hyka, 30 vjeç, të dy banues në lagjen “5 Maji”, si dhe Ardit Spahiu, 28 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Partizani”, Elbasan. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan, Valbona Begu, ka deklaruar dje se “vrasja është kryer për motive gjakmarrjeje, pasi vëllai i viktimës ka vrarë në Spanjë disa kohë më parë vëllain e shtetasit Ibrahim Caka, njërit prej të ndaluarve të policisë”.

Ngjarja

Sipas burimeve policore, ngjarja duhet të ketë ndodhur rreth orës 22.30 të së premtes, teksa viktima, 52-vjeçari Gëzim Alikaj, po parkonte makinën e tij tip “Mercedes Benz” në afërsi të godinës së doganës së qytetit të Elbasanit. Të njëjtat burime sqarojnë se trupi i pajetë është vënë re nga dy gra kalimtare të rastësishme, të cilat pasi konstatuan kufomën e pajetë të një mashkulli, kanë njoftuar menjëherë sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Nga kjo e fundit janë nisur shpejt forca të shumta policie, që kanë bërë këqyrjen e kufomës dhe mbledhjen e provave materiale. Pas veprimeve të para hetimore është konstatuar se 52-vjeçari Alikaj ishte goditur me plumb në kokë. Sipas informacioneve të para policore, ai është qëlluar në mënyrë të papritur me një plumb në kokë nga një armë tip pistoletë me një të shtënë të saj. Supozohet se autorët e krimit e kanë ndjekur 52-vjeçarin gjatë lëvizjeve të tij me makinë, pasi ai është qëlluar nga afër dhe në pjesën e sipërme të xhamit të makinës, duke e qëlluar në anën e majtë të kokës.

Arrestimi

Brenda pak orësh nga ndodhja e vrasjes, Policia e Elbasanit ka mundur të zbardhë ngjarjen dhe të ndalojë autorët e dyshuar të saj. Kështu u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan të Ibrahim Cakës, 31 vjeç, Elton Hykës, 30 vjeç dhe Ardit Spahiut, 28 vjeç, të tre nga qyteti i Elbasanit. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e “vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Ndërkohë, burimet zyrtare kanë pohuar se vrasja ka në thelb një hakmarrje të vjetër. Vëllai i viktimës, baba i katër fëmijëve, ka vrarë në Spanjë disa kohë më parë vëllain e 31-vjeçarit Ibrahim Caka. Do të jenë hetimet e mëtejshme ato që do të zbardhin detajet e tjera të ngjarjes që mori jetën e 52-vjeçarit, që prej disa vitesh punonte si shofer. Ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, materialet i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›