E Diel, 1 Nëntor 2026

Oficeri i policisë gjyqësore, i prangosur: Nuk kam marrë lekë, veprimet e mia ligjore

Fier I ndaluari Vasil Ristani ka deklaruar se ka “bashkëpunuar” me avokatin Zenun Hajdërmataj

Vasil Ristani, efektivi i policisë gjyqësore në Fier, i cili u prangos nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, ka deklaruar se ka zbatuar ligjin gjithë kohës. Sipas tij, ligji parashikon që marrja e deklaratave të dëshmitarëve quhet ligjore, edhe pa u depozituar në dosjen hetimore të organit të akuzës. Duke hedhur poshtë mundësinë e përfitimit të shumave të mëdha kundrejt deklaratave të realizuara, oficeri i policisë gjyqësore mësohet të ketë thënë për grupin e hetimit se sigurimin e dy deklaratave ai e ka realizuar nëpërmjet kreut të Dhomës së Avokatisë Fier, Zenun Hajdërmataj. Por, burimet zyrtare të Task Forcës pranë Prokurorisë së Rrethit Fier, që hetuan për afro dy muaj çështjen në fjalë, thonë se akoma nuk janë të bindur për përvetësimin e ndonjë vepre penale nga avokati Hajdërmataj. Pas deklaratës së ditës së djeshme të Vasil Ristanit, grupi i hetimit pranon se pavarësisht mungesës së provave për avokatin, po shihet mundësia e marrjes së tij në pyetje. Sipas burimeve më të larta drejtuese të Task Forcës së Fierit, mësohet se mesditën e së shtunës Vasil Ristani është marrë në pyetje për më tepër se katër orë. Agjentë të SHKB-së nuk janë përfshirë në këtë seancë, pasi, siç mësohet, sektori i tyre ia ka referuar organit të akuzës ngjarjen në fjalë dhe ditët e fundit ka dorëzuar edhe deklaratat e Ristanit. Mësohet se një ndër provat që SHKB-ja ka servirur ka qenë survejimi i veprimtarisë së OPGJ-së gjatë muajve të fundit, kur dyshohet se ai ka përvetësuar shumat e mëdha, kundrejt cenimit të dosjes së vrasjes së Edmond Vruhos.

Masa e arrestit

Ditën e hënë, Vasil Ristani do të përballet me togat e zeza, të cilat do të vendosin masën e vlerësimit të arrestit ndaj tij. Ai ndodhet i izoluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Duhet thënë se për këtë ndalim të pritshëm që “ziente” prej dy javësh në mjediset e policisë dhe Prokurorisë Fier, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka shmangur komunikimin me mediat. Por burimet konfidenciale brenda Drejtorisë së Policisë së Qarkut thanë se akuza ka të bëjë me favorizimin që i ndaluari i ka bërë Bledar Qemalajt për vrasjen e Edmond Vruhos. Ngjarja ka ndodhur në maj të vitit 2004 pranë gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë. Autori i vetëm i dyshuar i kësaj vrasjeje ka qenë Bledar Qemalaj, i cili u la i lirë për mungesë provash nga Gjykata e Lartë. Këtu fillon zanafilla e hetimit ndaj oficerit të policisë gjyqësore, i cili ka trajtuar këtë dosje hetimore. Vruho i kishte vrarë Bledar Qemalajt të vëllain në vitin 2000.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›