Ministri Beja: “Të gjithë profesorët do të marrin pension suplementar”
Personeli akademik me titullin shkencor, “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”, ose “Drejtues Kërkimesh” dhe “Mjeshtër Kërkimesh” do të përfitojë pension suplementar. Pas përfundimit të mbledhjes së djeshme të qeverisë ministri i Arsimit, Fatos Beja, në një konferencë për shtyp foli për vendimin e marrë për të akorduar pension suplementar profesorëve. “Për personelin akademik me titullin shkencor, ‘Profesor’ dhe ‘Profesor i Asociuar’, ose ‘Drejtues Kërkimesh’ dhe ‘Mjeshtër Kërkimesh’, qeveria ka vendosur që të gjithë të marrin një pension suplementar, në një masë të konsiderueshme. Ky është një vendim i shumëpritur, sipas kontakteve që unë kam pasur me profesoratin, me shumë profesorë të shquar, të cilët me dekada na kanë dhënë mësim të gjithëve, brezave të ndryshëm shqiptarësh, të cilët janë në prag të pensionit, ose përfitojnë ndërkohë që janë në pension”, - deklaroi minstri Beja. Sipas kreut të Arsimit, të gjithë profesorët kanë të drejtë të përfitojnë një pension shtetëror suplementar, qoftë ata të cilët nuk kanë mundur të japin një kontribut suplementar, aq më tepër ata të cilët janë në funksion sot dhe do të kontribuojnë dhe në të ardhmen me një përqindje, siç veprohet me të gjitha rastet e pensioneve suplementare.
16 Prill 2009