E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet me vizë polake, 18-vjeçarja në kërkim

Kapet ndërsa tentonte të dilte jashtë kufirit shtetëror një vajzë që ishte deklaruar e larguar nga shtëpia dhe shpallur në kërkim që prej disa javësh. Shërbimet e policisë kufitare të Portit Detar Durrës bënë kapjen e shtetases në kërkim M.S, 18 vjeçe nga fshati Leskaj, i Këlcyrës së Përmetit. E reja ishte larguar nga shtëpia në rrethana të paqarta që nga data 9 nëntor e këtij viti dhe mbrëmjen e së premtes është kapur në terminalin e pasagjerëve në Portin Detar të Durrësit. Vajza u kap pas paraqitjes së një pasaporte biometrike me një vizë polake në të. Gjeneralitetet bënë që shërbimet policore të identifikojnë vajzën që ishte në listën e personave në kërkim. E reja ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër që prej disa javësh. Vajza iu dorëzua autoriteteve policore të Gjirokastrës, e cila do të sqarojë më tej dhe rrethanat në të cilat ajo është larguar. Paraprakisht rezulton që të mos kemi të bëjmë me një rast rrëmbimi, po largim me dëshirë nga banesa. Gjithsesi hetimet e mëtejshme do të zbardhin rrethanat dhe shkaqet që e kanë çuar të renë të largohet nga shtëpia.

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›