Replika të ashpra mes Kserës dhe Dules
Dje në qendër të fshatit Aliko, 30 km larg nga qyteti i Sarandës, është përkujtuar akti i 4 prej djemve nga krahina e Vurgut, që u ekzekutuan në kufi duke u gdhirë 12 dhjetori i vitit 1990. Thimjo Masho, Ajdhon Rafti, Thanas Koçi e Vangjel Mitro u ekzekutuan në buzë të klonit, në Konispol, nga rojet kufitare, në tentativë për të kaluar kufirin shtetëror. Prej 19 vjetësh ata nderohen si dëshmorë të kohëve të reja, pasi me një dekret të posaçëm presidencial të vitit 1996, janë shpallur "Martirë të Demokracisë". Ndërsa në përkujtimin e sivjetmë të 4 Martirëve të Demokracisë, ra në sy mungesa e kryetarit të përgjithshëm të "Omonia"-s, Vasil Bollano, mungesë që është evidentuar edhe nga ministri Ksera në fjalën e vet. Ndërkohë që ai vlerësoi rënien e djemve nga fshati Aliko si një akt që paralajmëroi ardhjen e demokracisë, Ksera u shpreh se "Bollano nuk mund ta justifikojë me asgjë mungesën në këtë veprimtari nderuese". Por kjo do të ishte vetëm shkëndija e parë e replikës që atakoi në fakt Vangjel Dulen, i pranishëm në ceremoninë e organizuar. Ksera ka qenë pothuajse i drejtpërdrejtë kur tha: "Ata që urdhëruan vrasjen në kufi të këtyre djemve martirë, sot janë deputetë". Duke shkuar më tej, Ksera ka aluduar edhe për Vangjel Dulen dhe pozicionimin e tij në krah të atyre deputetëve që kanë qenë ministra të Brendshëm të kohës së diktaturës. Vangjel Dule ka ruajtur momentin të përgjigjet kur ka marrë fjalën dhe ka vlerësuar aktin e djemve të ekzekutuar nga diktatura në kufi, duke iu përgjigjur njëherësh edhe replikës së Kserës me fjalët: "Helenizmin duhet ta kesh në shpirt, jo në buzë". Të pranishëm në ceremoninë e organizuar ishin edhe zëvendësdrejtori i Hipotekave, Kosta Barka, nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka e ai i Delvinës, Dhurim Alinani, deputeti i Janinës, Mihalis Pandulas, përfaqësues nga konsullata greke në Gjirokastër, si dhe kryetarë të komunave të minoritetit etnik grek, kryetarja e degës së PS-së së Sarandës, zonja Rajmonda Gjoni etj.
Th.Nika
Th.Nika