E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregull për "kaosin" apo kaos për të prishur rregullin?

"Sistemi demokratik është sistemi më i keq, përveç gjithë të tjerëve", do të thoshte njëherë Çurçilli. Ky sistem, i përdorur nga njerëzimi qysh në kohët e Greqisë dhe Romës së lashtë, siguronte frerët e pushtetit për aristokracinë dhe me këtë formulë qeverisëse u siguroi supremacinë këtyre dy qytetërimeve në botën e lashtë mesdhetare për një periudhë gati pesëqindvjeçare. Po të njëjtin fat të mbarë patën, për shkak të këtij sistemi, edhe republikat aristokratike të Rilindjes (si Venediku, Gjenova, Firence, Amsterdami etj.). Epoka e Perikliut, epoka e Senatit Romak deri me Çezarin dhe njëmijë e pesëqind vjet më pas me periudhat e republikave italiane të mesit të mijëvjeçarit që kaluam, kanë sjellë edhe një bum të zhvillimit kulturor dhe material. Të dytat u betuan për të imituar të parat nën emrin e Rilindjes Europiane dhe arritën t‘ia dilnin mbanë duke goditur njëmijë vjet sundim të Kishës. Dihet historia moderne e Europës me revolucionet, shtetet kombëtare, shthurjen e perandorive të krishtera dhe osmane në lindje të Europës kristiane, me dy Luftërat Botërore, me Luftën e Ftohtë. Pas kësaj të fundit ndodhi shpartallimi i perdes së hekurt dhe kalimi i Shqipërisë nga sistemi totalitarist i mbyllur, me bazë dhe superstrukturë mbi ideologjinë komuniste, në sistemin pluralist të ekonomisë së tregut, pra me pronë private.
Lideri i fundit komunist, R. Alia, që kishte në arkë vetëm disa dhjetëra miliona në valutë amerikane dhe një popull të uritur e më të skamurin në Europë, nuk dinte si të dilte nga binaja e pushtetit politik para se t‘i shembeshin muret dhe çatia (si Çausheskut) dhe me çfarë mënyre t‘ia linte çelësat kundërshtarëve të vet, që kur të qetësohej stuhia dhe pasi të binte kjo çati, t‘i merrte me suksesorët e vet politikë përsëri çelësat si spiranca e vjetër e popullit dhe e stabilitetit për Elitën Botërore në këtë pjesë me trazira të Ballkanit (kujtoni 1997-ën). Qysh në pranverë të vitit 1990, pas Katovicës, ai nuk dinte si t‘i vidhej pushtetit të cilin e patën vjedhur si hajdutë e me luftë civile 7-vjeçare dhe, atëbotë, edhe ky "hajdut-pushtet" i kishte mbërthyer fort byroistët e rinj të cilët e shikonin pushtetin e gatshëm të E. Hoxhës si hyjnor dhe që nuk duhej lëshuar, veçse me jetë e gjak. Për të mos u zgjatur, dihen, pra, peripecitë e këtyre 20 vjetëve të Shqipërisë për të kaluar tranzicionin politik dhe ekonomik i cili kishte këto dy shënjestra kryesore: a)shëndoshjen e sistemit politik pluralist (shtet ligjor, parti politike moderne, zgjedhje politike dhe vendore të pakontestuara për rotacion normal të pushteteve që varen nga zgjedhjet); b) një sistem ekonomik modern që të ndezë motorët e zhvillimit ekonomik e tregtar me politikat fiskale e doganore, të luftojë ekonominë e zezë kriminale të trafiqeve dhe atë gri nëpërmjet barazisë së subjekteve ekonomike para ligjit dhe duke luftuar evazionin ekonomik dhe atë tregtar.
A janë realizuar siç duhet dhe me një nivel optimal këto dy objektiva në vendin tonë? Natyrisht që të gjithë biem në një mendje për përgjigjen. Jo! Shkaku është lakmia për pasuri nga dy partitë kryesore, nga dy kuajt trojanë të tyre dhe shpurave që i ndjekin nga pas për të shqyer edhe ata si çakejtë ndonjë copë që e le luani dhe jo bindja e tyre se ata janë alternativa më e mirë për t‘i sjellë popullit të tyre të varfër superioritet. Të gjitha debatet e tyre gjoja mbi parime demokratike kanë në themel etjen për pushtet dhe pasuri nëpërmjet abuzimit me pushtetin dhe grabitjen me njëmijë mënyra të arkës së buxhetit të shtetit. Dhe po të mos ndodhte kështu, nuk do ta hapja këtë koment me shprehjen e Çurçillit për sistemin. I kemi parë të dyja forcat politike me gabimet dhe ineficiencën e tyre, me fajet që në përgjithësi kanë ngelur jetime në 20 vjet. Kemi parë diletantizmin dhe protagonizmin "Promete-nian" të Berishës së parë (1992-‘97); abuzimin mafioz ciklopik e frontal të erës rozë mbas 1997-ës deri më 2005; abuzimin qeverisës të thellë, të përqendruar, më pak frontal e tashmë më të sofistikuar të erës Berisha i dytë - mbas 2005-ës; kemi parë qeverisjet klanore socialiste me ansamblet "Labëria", por kemi parë edhe qeverisjet klanore të Doktorit me ansamblin ‘Tropoja‘, - edhe pse ka një diferencë në thellësinë e nuancave të grabitjeve dhe abuzimeve për shkak të ndryshimit nga numrat e popullsive përkatëse. Megjithatë, nuk mund të përjashtohen edhe ecjet e përparimet në shumë fusha, të cilat kanë ardhur kryesisht nga sfera private, nga nismat dhe veprat e mrekullueshme të gjeneratorit të sipërmarrjes së lirë.
Pra në të dyja drejtimet ne nuk e kemi konsoliduar sistemin tonë politik dhe ekonomik, pasi nuk kemi ndërtuar dot një shtet modern ligjor, nuk kemi parti politike moderne në raport me homologet e tyre të Perëndimit; kemi kontestime të të gjitha zgjedhjeve politike (na mungon, për shkak të mungesës së dëshirës së lidershipit blu e rozë, infrastruktura ligjore dhe teknike për një votim të informatizuar); kemi krim ekonomik dhe ordiner me mbështetje të politikës si dhe evazioni tatimor dhe tregtar (kontrabandë) dhe në buxhet nuk arrijmë të mbledhim në përqindje as sa Maqedonia në raport me GDP-në (për hir të së vërtetës ka një ngritje për katër vjet nga 21% në 27%, por kjo është një ngritje e ulët dhe Kryeministri me ministrin e Financave i kanë ndarë vazhdimisht me zona dhe periudha kontrollet mbi "parcelat" tatimore dhe ato doganore në këto 4-5 vjet, njëlloj siç bënin edhe Nano, Majko e Meta para 4-5 vjetësh, ndarje shpeshherë mbi baza drejtimi nepotik e miqësor; populli i di të gjitha këto).
Tash do dëshiroja të theksoja edhe rolin dhe kontributin e rëndësishëm që luajnë ndërkombëtarët (Perëndimi euroatlantik dhe institucionet e përbotshme apo ato më të vogla të Perëndimit, si në fushën politike, ashtu edhe atë financiare apo ekonomike) në funksionimin e shtetit tonë dhe në këtë tranzicion. Ky rol është i unifikuar në linjat kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme sipas vullnetit të një elite, e cila i drejton fijet kryesisht nga Londra dhe Nju Jorku. Madje ky ndikim ka ekzistuar edhe në kohën e komunizmit dhe madje edhe ‘iron curtains‘ u krijua për të unifikuar Europën Perëndimore dhe madje BE-ja filloi të krijohej nga frika e ish-Bashkimit Sovjetik, pasi përndryshe do të ishte i pamundur ky organizim politik i ëndërruar nga Elita që qëndron mbas perdes. Madje edhe në kohën e Perandorisë turke, ne kemi qenë të ndërvarur në jetën tonë, edhe pse pjesë e një perandorie të madhe që shtrihej në tre kontinente, nga planet e kësaj elite. Kjo elitë pasi shkatërroi perandoritë e vjetra europiane me Luftën e Parë Botërore dhe formulën e shteteve kombëtare të Uillsonit në Versajë (dhe para saj), tash po i realizon objektivat për një qeverisje botërore me parullën e saj të vjetër homeriane ‘rregull nga kaosi‘ dhe nëpërmjet zbatimit paraprak të formulës magjike hegeliane: a) problem (nga njëra palë); b) reagim (nga pala tjetër); c) zgjidhje (me arbitrim të elitës). Në dy fazat e para të lojës elita nuk prononcohet hapur por flet me parulla të përgjithshme nëpërmjet "puppet string"-save të saj të diplomatëve apo politikanëve të rangjeve të ndryshme. Nga ana tjetër i nxit të dyja palët duke iu dhënë një mbështetje të gënjeshtërt (kujtoni si i "mbështeti" naivët Millosheviçi dhe S. Husein "kundër myslimanizmit fundamentalist" të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe për të dytin, mbështetjen politike të pushtimit të Kuvajtit).
Duke u marrë në fund, por për nga rëndësia e momentit duhet ta rreshtojmë të parën, me çështjen e trajtimit nga opozita të zgjedhjeve të fundit, mendoj se mund të jetë duke u zbatuar skema hegeliane e elitës dhe ka dy gjasa: 1) Berisha dhe Rama janë pjesë koshiente e kësaj loje b) ata po shtyhen në mënyrë kaotike me brirë, duke menduar secili se elita është me ta. Me kë është elita, do ta tregojë vetëm fundi i kësaj beteje në front të gjerë. E sigurt është se në rast të agravimit të mëtejshëm të situatës, për shkak të naivit dhe ambiciozit Rama (i mbështetur nga etja për pushtet që kanë bythët e B. Finos, F. Xhafës dhe offspring-save të ish-byroistëve për t‘u rehatuar në kolltukët ministrorë, qoftë edhe me dhunë dhe me rrugë që na kthejnë si vendet katolike e kaotike të Amerikës Latine me të cilat po tallet prej 50 vjetësh elita, duke i përdorur si dikur Bengalin dhe Kinën në kohën e Luftërave të Opiumit). Natyrisht që Berisha ka plot defekte, siç i përmendëm në mënyrë të përmbledhur më lart. Ajo që lipset të bënte Rama ishte kërkesa për të modernizuar procesin zgjedhor nga pikëpamja elektronike, të mos e lejonte veten të hynte në këtë lojë të rrezikshme si shërbëtor i verbër, por të luante në partneritet me të huajt, duke i shërbyer ndopak me stabilitet edhe vendit të tij, të cilin po e lodh dhe po e zhgënjen. Ai nuk duhet të mendojë se i janë shtuar fuqitë elektorale me këto veprime të ekzagjeruara.
Unë mendoj se rreshtimi me vlerat politike-ekonomike-kulturore të Perëndimit ishte një fitore e madhe për Shqipërinë dhe për kombin, i cili përfitoi nga rënia e strukturave organizative europiane të pas Luftës së Dytë, për të këputur zinxhirët e fatit të shekullit të kaluar (unë nuk mund të ul vlerat edhe të qytetërimeve në Lindjen sllave e ortodokse, por me këtë botë, pa dëshirën tonë, ne kemi histori të hidhur pasi ky qytetërim kërkoi të na asimilonte për një shekull si komb). Në këtë kuptim, mendoj se rruga me më pak kosto më duket bashkëpunimi si partnerë me Perëndimin, nevoja dhe respektimi i tij si arbitër, vetëpërmbajtja e militantëve për pushtet dhe durimi, respekti reciprok dhe frenimi i gjuhës në prizmin etik dhe kodet konvencionale të saj. Derisa zgjedhjet u certifikuan nga organizmat ndërkombëtarë dhe ato ligjorë, Rama duhet t‘i bënte nul këto lloj pretendimesh. Por atij i erdhi oreksi duke ngrënë: pasi joshi militantët e vet me frytin e pushtetit për t‘u rifronëzuar në krye të selisë rozë, mendoi se kishte të drejtë edhe jashtë grupit, si në një përrallë të njëmijë e një netëve, duke përdorur "qilimin fluturues" të njerëzve në shesh për të hyrë me shpurën e vet në Kryeministri. Ndaj ai thirri "Bingo!" kur tha "Hapni kutitë!". A është veprimi i tij prishje e rregullit për të sjellë kaos apo thënë pak më shqip, a mendon ai: "ta turbullojmë që të kullohet"? Unë mendoj se po! A do ta kthejmë ne vendin në destabilitet sipas së njëjtës skemë dhe me të njëjtët aktorë politikë e fizikë si më 1997, kur vendi u zhyt në një gropë të zezë me "fekale"? Madje z. Rama po përpiqet njëlloj si më 1997 që ta rregullojë imazhin multipolitik e gjasme mbarëpopullor, krahas të tjerave, me disa hjekës të përhershëm dhe "lojtarë" që lëvizin sa majtas-djathtas, që hedhin benzinë në ozonin rozë të mitingjeve me fjalorin e tyre revolucionar apo të qetë, por plot helm jezuit, anipse e dinë edhe vetë se janë xhuxhë në shpinën e gjigandit. Ata janë gati t‘u djegin shqiptarëve jorganin e qetësisë dhe prosperitetit për pleshtin e pushtetit të tyre të vogël, siç kanë bërë rëndom gjithë këto vjet.
Duke e mbyllur me urimin e mirëkuptimit dhe dialogut sa më të shpejtë institucional e ligjor të të dyja palëve, me largimin ndaj ‘Bingo-Kutive‘ dhe thyerjeve të nofullave apo ç‘nderimit të familjeve, po shfrytëzoj një shprehje tjetër të Çurçillit mbas Luftës së Dytë: ne shqiptarët e thjeshtë kemi nevojë për "..jaw, jaw, jaw no war, war, war!" ("…përqafim, përqafim, përqafim jo luftë, luftë, luftë"). Përndryshe historia do t‘u vendosë Ramës dhe Berishës edhe një njollë tjetër si xhahilë, amatorë apo edhe tradhtarë të popullit. Nga gjykimi i historisë nuk shpëton askush, sado i pasur që të jetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›