E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet miku i Ilir Pajës, pas 74 ditësh në arrati

 Taulant Toma, shqiptari që u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë të Trentit në Itali, më 9 tetor të këtij viti, u arrestua dje nga policia italiane. Nga i njëjti operacion policor, policia e vendit fqinj arrestoi edhe dy shqiptarë të tjerë, Erjis Kuni e Valentin Lazri, të cilët dyshohet se e kanë ndihmuar të largohej nga burgu i Trentit. Ndërkohë, që pas ndalimit të tre personave, autoritetet policore u kanë sekuestruar tre shqiptarëve armë, municion dhe një sasi prej gjysmë kilogrami kokainë. Lajmi për arrestimim e Taulant Tomës u konfirmua dje nga mediat elektronike të vendit fqinj. "Mori fund pas 74 ditësh arratia e Taulant Tomës, shqiptarit që u largua nga burgu i Ternit më 9 tetorin e kaluar", citonin dje agjencitë italiane të lajmeve. Mësohet se Toma është arrestuar në Kasarile, pjesë e provincës së Pavias. Sipas burimeve, policia italiane ka mbërritur në "folenë" ku strehohej Toma, pas një sërë përgjimesh bisedash telefonike, përgjimesh ambientale, arritën të zbulonin personat që strehonin Tomën. Sipas mediave të vendit fqinj, dy shqiptarët e tjerë të arrestuarit po hetoheshin për disa grabitje në Milano. Mësohet se në momentin e ndalimit nga policia, Lazri kishte me vete një pistoletë dhe gjysmë kilogrami kokainë. Ndërsa pas kontrollit policor në banesën në të cilët ata strehoheshin janë bllokuar 4 pistoleta të tjera, municione, pajisje policore. Pas ndalimit, të tre shqiptarët janë dërguar në burgun e San Vitores. Arratia e Taulant Tomës më 9 tetor të këtij viti, shkaktoi shumë bujë në vendin fqinj. Polemikat përqendroheshin në faktin që Toma arriti të largohej nga burg i sigurisë së lartë pak pas mesditës, ndërkohë që nuk u vu re nga askush. Pas arratisë, autoritetet policore italiane u angazhuan maksimalisht për gjetjen e vendndodhjes së tij, por vetëm dje ai është mundur të arrestohet. Taulant Toma qëndronte në burgun e Ternit, si i dënuar për grabitje dhe shkelje të tjera të ligjit në Itali. Mediat italiane e "lakuan" emrin e tij edhe si ish-pjesëtar i bandës së Ilir Pajës, i njohur si "UFO", për shkak të dy arratisjeve nga burgje të sigurisë së lartë në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›