Shkelësit e ligjit pa imunitet
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uidhers, tha dy ditë më parë gjatë një konference për integritetin e zyrtarëve se imuniteti nuk duhet të jetë strehë për mbrojtjen e atyre zyrtarëve që kanë shkelur ligjin. Sipas tij, imuniteti nuk duhet të jetë mbrojtje për ata që kanë poste drejtuese. “Imuniteti nuk duhet të sigurojë strehë për ata që përballen me masa ligjore dhe janë në ndjekje penale. Ai nuk duhet të jetë një mundësi për të mbrojtur fajtorët dhe për t’i mbajtur ata në pozita drejtuese”, u shpreh ambasadori Uidhers. Pas deklaratës së ambasadorit të SHBA-së, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u shpreh në emër të qeverisë i gatshëm të votojë heqjen e imunitetit sapo opozita të kthehet në Parlament.