Antikorrupsioni, Tahiri: T’u hiqet imuniteti Mediut dhe Bashës
Duke analizuar progres Raportin e Komisionit Evropian, PS kërkon luftë reale dhe konkrete ndaj korrupsionit. Deputeti Saimir Tahiri tha dje se duhet t’u hiqet imuniteti Fatmir Mediut dhe Lulëzim Bashës. Sipas tij, kreu i qeverisë Sali Berisha është në mbrojtje të këtyre 2 ministrave. “Nuk ka asnjë dyshim se kjo maxhorancë është përgjegjëse për mbjelljen e kulturës së paskrupullt, duke strehuar pas imunitetit parlamentar dhe karriges së ministrit dy të kërkuar nga drejtësia, pikërisht për korrupsion. Ka ardhur koha që Sali Berisha t’i bindet ligjit njëlloj si të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe të dorëzojë menjëherë para ligjit dy ministrat e tij që fshihen pas imunitetit parlamentar dhe të marrë masa të menjëhershme për të luftuar korrupsionin duke filluar nga vetja, nga familjarët e tij dhe nga shërbëtorët e oborrit. Kjo është mënyra e vetme për t’u treguar shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë vullnetin e vërtetë për të luftuar korrupsionin”, tha Tahiri. Socialistët gjithashtu shprehin shqetësim për atë që shkruhet në raport- progresin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, si një dëshmi e dështimit të kësaj maxhorance përballë korrupsionit. “Raport-progresi i Komisionit Evropian në 3 vitet e fundit e konsideron korrupsionin një fenomen gjerësisht të përhapur dhe një problem veçanërisht serioz, ndërkohë që shenja e vetme që ka lënë Sali Berisha në luftën e tij të shtirur ndaj këtij fenomeni është numri i tij i celularit. Ne nuk kemi asnjë dyshim se një i korruptuar nuk mund të luftojë korrupsionin”, tha Tahiri.
Duke e cilësuar të korruptuar qeverinë aktuale, Tahiri tha se “ne nuk kemi më asnjë dyshim se një i korruptuar nuk mund të luftojë korrupsionin. Nuk ka asnjë dyshim se kjo maxhorancë është përgjegjëse për mbjelljen e kulturës së pandëshkueshmërisë, duke strehuar pas imunitetit parlamentar dhe karriges së ministrit dy të kërkuar nga drejtësia, pikërisht për korrupsion”, tha Tahiri.