E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada mohon vjedhjen, hajduti del i paskeduar

 

Trazhgim Sokolaj

Ambasada e Danimarkës në Tiranë reagoi dje me një deklaratë të dytë për median, duke thënë se zyrat e saj hapen të martën e javës së ardhshme, pavarësisht grabitjes së ndodhur.“Për shkak të një numri raportimesh të gabuara në media, ambasada e Mbretërisë së Danimarkës deklaron se midis mbrëmjes së enjte dhe ditës së premte ka patur një përpjekje për të grabitur ambasadën”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, policia daneze dhe policia shqiptare janë duke bashkëpunuar ngushtësisht për hetimin e krimit. Më tej ambasada shprehet në deklaratën e saj se selia diplomatike ka marrë mbështetje të plotë nga të gjitha autoritetet përkatëse shqiptare për përballimin e këtij incidenti të pakëndshëm. “Sqarojmë opinionin publik se zyrat do të fillojnë punën ditën e martë”, përfundon deklarata e djeshme e ambasadës daneze. Reagimi vjen një ditë pasi në selinë diplomatike të Danimarkës në zonën e ish-bllokut në Tiranë, ndodhi vjedhja e një kompjuteri portabël. Vetë ambasada deklaroi të premten se, “për shkak të një grabitje, zyrat e saj do të jenë të mbyllura deri në një njoftim të dytë”.
Vjedhja e ambasadës
Burime nga policia thanë dje se selia diplomatike ka denoncuar vjedhjen e një kompjuteri portabël gjatë natës të së enjtes. Denoncimi është bërë të premten në mëngjes, menjëherë sapo është konstatuar krimi. Sipas të dhënave të policisë, autori apo autorët kanë arritur të marrin një kompjuter portabël tip Lap-Top, i cili besohet se përmbante të dhëna të rëndësishme mbi veprimtarinë e ambasadës dhe takimet e zhvilluara aty, kryesisht për aplikimet për viza. Ngjarja po hetohet paralelisht nga policia shqiptare, ndërsa në këtë proces është angazhuar edhe policia daneze, për shkak se territori i brendshëm i selisë diplomatike konsiderohet pjesë e Danimarkës. Burime zyrtare nga hetimi i çështjes konfirmojnë se disa gjurmë të gjetura në vendin e krimit u ekspertuan në Laboratorin e Policisë Shkencore. Shenjat mësohet se po vazhdojnë të analizohen në Policinë Shkencore, ndërkohë që ballafaquesi kompjuterik me shenjat e skeduara në krime të mëparshme ka dhënë sinjal negativ. Kjo sipas hetuesve do të thotë se autori i vjedhjes nuk është person i skeduar nga policia në krime të tjera të ndodhura më parë. Policia shqiptare në bashkëpunim me sektorin përkatës në ambasadë dhe në policinë daneze mësohet se kanë administruar deklarimet e punonjësve të ambasadës si dhe imazhet filmike të fiksuara nga kamerat e sigurisë. Hetuesit janë përqendruar në verifikimin e pamjeve të marra nga kamerat brenda ambientit ku ndodhet kompjuteri i vjedhur, për shkak se në ambientet e jashtme errësira e kohës kur ndodhi krimi mund të ketë vështirësuar vëzhgimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›