Berisha: Për çdo kërkesë të Prokurorisë, hiqet imuniteti
Kryeministri Sali Berisha u shpreh i gatshëm të votojë heqjen e imunitetit, por kjo nuk mund të realizohet për aq kohë sa opozita nuk e ka mbështetur atë. Një ditë pasi SHBA kërkoi kufizimin e mbrojtjes për zyrtarët e lartë dhe pasi kësaj thirrje iu bashkua edhe Britania e Madhe, kreu i qeverisë tha se për çdo kërkesë të Prokurorisë për hetim të ministrave ose deputetëve të maxhorancës, imuniteti do të hiqet automatikisht. “Çdo kërkesë nga organet e Prokurorisë dhe organet gjyqësore për heqjen e imunitetit të deputetëve do të jetë automatikisht e pranueshme. Jemi kundër çdo imuniteti të deputetëve. Ne kemi dërguar ligjin në Parlament, por opozita nuk e votoi, atëherë ne do të praktikojmë qëndrimin e njëanshëm, që nënkupton se çdo kërkesë nga prokuroria dhe gjyqësori për heqjen e imunitetit të deputetëve do të jetë automatikisht e pranueshme”, tha kryeministri Berisha. Sipas tij, “maxhoranca ka të drejtë të mos i njohë vetes imunitetin dhe ne e kemi praktikuar këtë. Ka pasur raste që maxhoranca kur e ka kërkuar gjyqësori, i ka hequr imunitetin deputetëve të saj”. Heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë u premtua gjatë fushatës së vitit 2005 nga Partia Demokratike, atëherë në opozitë. Pas formimit të qeverisë ajo çoi në Kuvend ligjin për kufizimin e imunitetit, por duke parë reagimin e opozitës kryeparlamentarja Topalli kërkoi më parë mendimin e Komisionit të Venecias. Ky institucion u shpreh dakord parimisht me draftin e hartuar nga qeveria, por i kërkoi Parlamentit që ta votojë atë me 84 vota me synimin për konsensus sa më të gjerë.