E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania: Imuniteti, jo mbrojtje për individët

 

adi shkembi

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Britania e Madhe bën thirrje për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlwham tha dje se imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet dhe jo individët. Sipas saj, askush nga zyrtarët e lartë nuk duhet të dalë mbi ligjin. Duke iu referuar një tryeze të sistemit gjyqësor të pak ditëve më parë, ku kryeprokurorja Ina Rama shprehu shqetësimin për imunitetin e gjyqtarëve, ambasadorja britanike tha se, “Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, foli në lidhje me imunitetin e gjyqtarëve, dhe është ankuar se këto dispozita në mënyrë efektive e bëjnë të pamundur për të hetuar një gjyqtar për korrupsion. Ky është një problem dhe ky është një problem që nuk ndikon vetëm gjyqësor”. Sipas saj, “imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet dhe vlerat që ato përfaqësojnë dhe jo individët në vetvete. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ata që nuk kanë se çfarë të fshehin nuk duhet të kenë frikë, por ne duhet të punojmë për të forcuar ndjenjën e përgjegjësisë në institucionet publike në Shqipëri”. E pyetur për heqjen e imunitetit dhe faktin që maxhoranca dhe opozita janë në pozicione të ndryshme për ta marrë këtë nismë, ambasadorja iu referua deklaratës së Komisionit Evropian, sipas të cilit mes maxhorancës dhe opozitës duhet të ketë dialog të përbashkët dhe parlamenti duhet të funksionojë duke pasur prezent të dyja partitë. Duke folur në një tryezë ku u publikua raporti i Qendrës për Transparencë dhe Lirinë e Informacionit lidhur me deklarimin e pasurive të zyrtarëve të lartë, ambasadorja theksoi se ky proces është mjet kyç për të luftuar korrupsionin. Teksa iu referua progres-raportit të publikuar pak ditë më parë në Bruksel për Shqipërinë, diplomatja e Mbretërisë së Bashkuar tha se korrupsioni mbetet ende një problem serioz dhe i përhapur në Shqipëri. “Progres-raporti i KE-së thekson gjithashtu zhvillimin e rolit dhe kapacitetit të medias dhe shoqërisë civile në jetën publike dhe konkretisht në rastin e luftës kundër korrupsionit. Ai thekson gjithashtu edhe rritjen e besimit të publikut tek institucionet dhe kjo do të ishte vitale për reformën demokratike dhe më gjerë në Shqipëri”, theksoi më tej Fiona McIlwham.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›