Zbulohen politikanët e lartë që fshehin pasuritë
ADI SHKEMBI
Politikanët fshehin dhe transferojnë pasuritë e tyre për t’iu shmangur kontrolleve të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.Ky është përfundimi i një raporti investigativ të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, të mbështetur nga ambasada britanike që përfshin periudhën 2008- 2009. Nga 4500 zyrtarë që janë subjekt i ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë dhe atij për konfliktin e interesit, janë kontrolluar dhe investiguar 119 zyrtarë dhe politikanë. Kontrolli është shtrirë në pasuritë e krijuara, rastet e konfliktit me detyrën dhe sjellja ndaj bizneseve të tyre.
Pasuritë
Nga 30 gjykatës dhe prokurorë të kontrolluar, rezulton se 10 prej tyre kanë transferuar pasuritë, ndërkohë që tre prej tyre kanë fshehur pasuritë. Në të njëjtën kohë, nga 34 punonjës të administratës publike që ishin pjesë e këtij raporti, vetëm dy prej tyre kanë transferuar pasuritë, ndërkohë që në të njëjtin nivel janë edhe drejtuesit lokalë dhe politikanët me dy raste. “Transferimi i pasurisë është tipik për gjykatësit dhe prokurorët që kanë marrë ose dhënë pasuri nga të tjerët në masën 30 për qind të gjithë numrit të tyre, ose 62 për qind të gjithë rasteve të konstatuara në të gjitha kategoritë e zyrtarëve të investiguar. Kemi raste dhurimi të vilave, apartamenteve, makinave. Deklarime për marrje borxhi në shuma të mëdha nga familjarë, veçanërisht nga ata që kanë të afërm emigrantë. Në të gjitha rastet nuk është shpjeguar burimi i të ardhurave të përfituara nga transferimi apo të transferuara tek të tjerët, kryesisht vjehrri, vjehrra, nëna, babai ose vëllai”, thuhet në raport. Përsa i përket fshehjes së pasurive, nga 31 zyrtarë lokalë të kontrolluar 6 prej tyre e kanë transferuar pasurinë, ndërkohë numri i politikanëve që kanë bërë të njëjtin veprim është 4, po aq sa edhe ai i punonjësve të administratës. Sipas raportit është konstatuar që këta zyrtarë nuk kanë deklaruar pasuri të patundshme si garazhe, troje, apartamente apo shtëpi. Gjithashtu ka pasur edhe raste të mosdeklarimit të fitimeve nga bizneset në pronësi, ulja e vlerës së shitjeve apo blerjeve të pasurive të patundshme, marrje kredie në shuma të mëdha, interesat e të cilave nuk justifikohen nga të ardhurat, marrje kredie pa justifikuar përdorimin e saj duke lënë hapësira dyshimi edhe për pastrim parash. Qendra ka vërejtur se në disa raste nuk ka pasur deklarim të kutive bankare.
Biznesi
Konflikti i interesit është një tjetër pikë e raportit të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë. Ndonëse është vërejtur një rënie e rasteve të konfliktit të interesit, ky fenomen është sërish i pranishëm. Konkretisht tre drejtues lokalë dhe 3 zyrtarë të administratës janë gjetur në konflikt interesi. Por ajo që bie në sy është edhe prania e një politikani, i cili sipas raportit është një rast i kapur tre vjet më parë, por i pakorrigjuar. Zyrtari nuk mban më tashmë postin e ministrit. Përsa i përket përfshirjes në biznes, rezulton se numrin më të madh e kanë zyrtarët lokalë. Kështu nëntë përfaqësues të kësaj kategorie kanë pasur një biznes përpara se të marrin detyrën dhe vetëm dy prej tyre e kanë ndërprerë atë, pasi u emëruan në postin që mbajnë. Në të njëjtën kohë dy zyrtarë lokalë kanë hapur një biznes të ri gjatë kohës që kanë qenë në detyrën që mbajnë. Përsa i përket politikanëve, tre prej tyre kanë pasur një aktivitet biznesi përpara zgjedhjes në detyrë dhe nga këta 2 e mbyllën atë pasi morën postin e ri. Gjashtë përfaqësues të drejtësisë kanë pasur një biznes përpara se të marrin postin që mbajnë aktualisht dhe gjashtë të tjerë kanë hapur një aktivitet të ri pasi morën këtë post. Por asnjëri prej tyre nuk e ka mbyllur aktivitetin pas marrjes së postit. Megjithëse prej pesë vitesh zyrtarët e lartë deklarojnë pasuritë pranë Inspektoratit, ka ende shumë raste kur deklarimet kanë gabime teknike ose financiare. Kështu nga 31 zyrtarët lokalë të kontrolluar 11 prej tyre e kanë plotësuar atë gabim nga ana teknike. Njëkohësisht gabime janë vërejtur në deklarimet e 5 politikanëve, 5 përfaqësuesve të drejtësisë dhe 4 zyrtarëve të administratës. Njëkohësisht deklarimet e pasurive kanë edhe gabime financiare. Kështu, 10 përfaqësues të drejtësisë kanë plotësuar gabim nga ana financiare formularin dhe pas tyre vijnë politikanët me 7 formularë të plotësuar gabim, zyrtarët lokalë dhe ata të drejtësisë.
Raporti
Kanë transferuar pasuritë:
10 përfaqësues të drejtësisë
2 të zgjedhur lokalë
2 përfaqësues të administratës publike
2 politikanë
Kanë fshehur pasurinë:
3 përfaqësues të drejtësisë
6 të zgjedhur lokalë
4 përfaqësues të administratës publike
4 politikanë
Kanë konflikt interesi:
3 të zgjedhur lokalë
3 përfaqësues të administratës publike
1 politikan
Kanë biznese:
6 përfaqësues të drejtësisë
11 të zgjedhur lokalë
5 përfaqësues të administratës publike
3 politikanë
Sjellja ndaj biznesit
5 përfaqësues të administratës kishin biznes para marrjes së postit
1 përfaqësues e ndërpreu aktivitetin pasi mori postin
3 politikanë kishin biznes para marrjes së postit
2 politikanë e ndërprenë aktivitetin pasi morën postin
9 zyrtarë lokalë kishin biznes para marrjes së postit
2 zyrtarë lokalë krijuan një biznes pasi morën postin
2 zyrtarë lokalë e ndërprenë aktivitetin pasi morën postin
6 përfaqësues të drejtësisë kishin biznes para marrjes së postit
6 përfaqësues të drejtësisë krijuan një biznes pasi morën postin
“Vetëm 3 gjyqtarë deklaruan shtëpi verore”
Në konkluzionet e raportit të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë theksohet me shqetësim numri i ulët i zyrtarëve të lartë që deklarojnë pasuritë e tyre, kryesisht pronë e patundshme. “Vetëm tre gjykatës apo prokurorë kanë deklaruar shtëpi verore në bregdet, ndërkohë që të dhënat e përgjithshme të marra nga kompanitë ndërtuese në zonat turistike flasin për një klientelë shumë të zgjeruar nga radhët e gjykatësve e prokurorëve. Pasuri të tilla ose janë informale dhe të paregjistruara në hipoteka, ose janë transferuar tek të afërmit e tyre”, thuhet në raport. Sipas qendrës, “zyrtarët lokalë janë të përfshirë në një masë të madhe në biznese private që zhvillohen në territorin ku ata kryejnë detyrat publike. Këtë biznes pjesërisht e kanë në konflikt interesi me shërbimet që ata ofrojnë për qytetarët dhe pjesërisht vetë biznesi i ndihmon ata për të bërë karrierë në politikën lokale. Pas marrjes së postit të tyre ata nuk janë ndarë nga ato biznese, nuk deklarojnë të ardhura korrekte për biznesin që ata kryejnë. Kjo shton mundësitë e abuzimit të tyre me pushtetin që zotërojnë”.