E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Durrës 33-vjeçari në kërkim ndërkombëtar, akuzohet për trafik droge në Itali

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Një 33-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është lokalizuar dhe arrestuar në Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Policia e Shtetit njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Next”, i zhvilluar në bashkëpunim informativ dhe operacional me homologët italianë, nëpërmjet Interpol Tiranës.

Në kuadër të operacionit u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi M. T., 33 vjeç, banues në Shijak.

Sipas Policisë, 33-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Penale e Breshias i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.

Autoritetet italiane e akuzojnë atë për përfshirje si pjesëtar i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane, vijon procedurat për ekstradimin e 33-vjeçarit drejt Italisë.

Operacioni “Next” është pjesë e veprimeve të njëpasnjëshme të Policisë së Shtetit për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›