E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen me kallashnikov, municion dhe kokainë, në pranga babë e bir në Lushnjë

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Policia e Lushnjës ka sekuestruar një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe një automjet, ndërsa dy persona, babë e bir, janë arrestuar në flagrancë.

Policia e Shtetit njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Fokusi”, i zhvilluar në kuadër të kontrolleve për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve.

Në pranga u vunë shtetasit Sh. H., 56 vjeç, dhe H. H., 24 vjeç, banues në fshatin Hajdaraj, Lushnjë.

Sipas Policisë, shërbimet e Patrullës ndaluan në qytetin e Lushnjës automjetin që drejtohej nga 24-vjeçari. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve hetimore, Policia kontrolloi edhe banesën, ku gjeti një armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me municion luftarak, që dyshohet se posedoheshin nga 56-vjeçari.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municioni, sasia e kokainës dhe automjeti.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Policia bën të ditur se kontrollet vijojnë në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›