Korçë, skandal në varreza, zhduken eshtrat e familjes
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Dy motra shkojnë tek varret e të afërmve të tyre për t'u vënë lule, por për çudi në vend të tyre prehej një tjetër person. Ndërmarrja që menaxhon varrezat kishte varrosur dikë që nuk ka asnjë lidhje gjaku apo farefisnore me njerëzit e të moshuarave. Skandali nuk është bërë publik për të mos krijuar panik tek banorët e Korçës. Marika Kristo, e cila e zbuloi tre muaj më parë rrëfeu dje se ishte sorollatur nëpër institucione për të mësuar për eshtrat e katër të dashurve të saj, por gjithandej i kishin përplasur dyert. "Këtu në parcelën numër 5 ne kemi 6 varret e të gjithë fisit. Janë vendosur sipas familjeve, njëra pas tjetrës. Varri i dhunuar ishte i përbashkët, i gjyshit, Niko Nikolla (Kristo), gjyshes Limjadha Nikolla dhe dy tetove tona. Por varri i tyre është dhunuar dhe në të është varrosur K. M., që nuk ka asnjë lidhje me familjen tonë", u shprehën të moshuarat. Sipas tyre, ato janë ankuar tek ish-përgjegjësi i varreve Gjergji Gulimaçi, por ai iu ka pohuar se varri u gjend bosh. "Më vonë mësuam se Gulimaçi, kishte urdhëruar hapjen për t'i bërë nder një njeriu të veshur me pushtet", u shprehën gratë të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje për dhunimin e eshtrave të njerëzve të tyre, ndonëse i janë drejtuar edhe bashkisë. Sipas tyre, në krye të varrit kishte një kryq me emrat e të vdekurve. Në varrezat ruhen edhe librat e vjetër me emrat e të vdekurve, por ata që dhunuan varrin e kanë zhdukur emrin e Niko Nikollës e të tjerëve. Varrmihësit u kanë deklaruar në mirëbesim grave se kishin gjetur eshtra kur hapën varrin, por i kanë mbuluar me pllakat e betonit që shtrohen nën arkivolin e të vdekurit të ri. "Këtë dëshmi tani që plasi skandali kanë filluar ta mohojnë, sepse kanë frikë se mos i pushojnë nga puna", u shpreh Kristo. Tashmë ato do kërkojnë zhvarrimin e njeriut që është vendosur mes varreve të tyre. Varrezat e Korçës, po i afrohen fshatit Moravë. Shumë familje paguajnë që t'i vendosin të dashurit e tyre në parcelat e para. Kjo duket se është shfrytëzuar nga administruesit e varreve për të bërë pazare duke shkatërruar varrezat. Përgjegjësi i firmës "Korsel" që administron varrezat, Koli Pacili, u ka thënë ankuesve se kjo çështje zgjidhet vetëm me gjyq. "Nëse gjykata merr vendim për të kryer zhvarrimin, unë veproj në zbatim të saj", është shprehur ai. Të moshuarat po presin djemtë të kthehen nga emigracioni për t'iu drejtuar policisë për dhunimin e varreve.