E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafaj: Bursa 6 mijë lekë për ata që zgjedhin shkolla profesionale

 

zirina llambro

Bursa për të gjithë ata që mësojnë një zanat në shkollën e mesme. Do t’i përfitojë çdo nxënës që do të ndjekë arsimin profesional. Pas vendimit të qeverisë dy javë më parë, deklarata vjen nga ministri Myqerem Tafaj. Gjatë vizitës në Shkollën e Mesme Profesionale “Karl Gega” në Tiranë, ai deklaroi se nxënësit e vitit të parë do të përfitojnë bursa, prej 6 mijë lekësh në muaj. Sipas Tafaj, do të ketë edhe kritere për degë të veçanta, por shumica e nxënësve do të përfitojnë bursa. “Nxënësit e vitit të parë do të kenë bursa në disa degë. Qeveria ka vendosur përpara dy javësh për disa degë që nuk kanë asnjë kriter, midis tyre është dhe dega e ndërtimit, për degë të tjera ka kritere, po numri i bursave është shumë i madh, dhe pjesa më e madhe e nxënësve do të kenë bursa”, tha Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai theksoi se është menduar që prej një viti nga qeveria, për ndërtimin e një shtese në këtë shkollë, por Bashkia e Tiranës nuk ka bashkëpunuar për të mundësuar lejen e ndërtimit. “Shkollën tuaj do ta rikonstruktojmë dhe do ta shtojmë. Për fat të keq Bashkia e Tiranës nuk na dha lejen vjet që të përdornim fondin prej gati 2 mln eurosh, që na pati akorduar BE për ndërtimin e shtesës për rikonstruksionin e bazës prodhuese dhe pajisjen, po të jeni të sigurt që këtë shtesë do ta realizojmë”, vijoi Tafaj. Ministri Tafaj u shpreh se arsimi profesional do të mbetet prioritet, pasi edhe në raportin e KE për vendin tonë, arsimi mbetet një nga shtyllat kryesor. Frekuentimi i ulët i shkollave profesionale e ka shtyrë qeverinë të ndërhyjë me një politikë të re. “Në degët prioritare për zhvillimin e ekonomisë si ato bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtimi është parashikuar që të përfitojnë bursa nxënësit që regjistrohen në këto degë, pavarësisht kriterit ekonomik”, ka përcaktuar Qeveria. Kjo masë vjen pas vënies së arsimit profesional si prioritet nga Ministria e Arsimit. Në vendin tonë arsimin profesional e ndjekin rreth 17% e nxënësve, krahasuar me gjimnazet e përgjithshme, ndërsa në Evropë këto shifra janë disa herë më të larta. Kryeministri i vendit Sali Berisha ka premtuar që me politikat që do të ndjekë, synon që shifrat të shkojnë deri në 40%. Por me gjithë masat e marra, sërish interesi i nxënësve për arsimin profesional mbetet tejet i ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›