E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Gjermani turku që mori peng avionin nga Rinasi

Hakan Ekinci u arrestua me dokumente false. Nisin procedurat për ekstradim në Shqipëri

Arrestohet për llogari të drejtësisë shqiptare turku, i cili mori peng një avion që u nis nga Rinasi, duke e drejtuar për në Itali. Hakan Ekinci, i cili hyri në histori si personi i parë që ka marrë peng një avion të nisur nga Rinasi, ishte liruar vetëm pak kohë më parë nga autoritetet italiane. Me letra false, ai është kapur duke tentuar të kalojë kufirin nga Gjermania në Danimarkë. Arrestimi i tij ka ardhur pas një bashkëpunimi mes dy policive mëngjesin e djeshëm dhe menjëherë kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Arrestimi në Gjermani
Policia gjermane ka njoftuar dje Interpol-Tiranën se kanë arrestuar një njeri turk që rrëmbeu një aeroplan nga Shqipëria në Turqi më 2006-n. Gjithashtu, zëdhënësi i policisë federale Matthias Menge, tha për “Associated Press” se 32-vjeçari Hakan Ekinci u arrestua të mërkurën në mëngjes herët në një tren nate pranë kufirit gjermano-danez. Sipas policisë gjermane, ai po udhëtonte me dokumente false italiane dhe policia zbuloi se kishte urdhër-arresti ndërkombëtar për atë që ishte lëshuar nga autoritetet shqiptare në lidhje me rrëmbimin e avionit. Menjëherë pas arrestimit, policia gjermane ka kontaktuar me policinë shqiptare, duke dërguar të gjithë dosjen penale për këtë person. Policia shqiptare, pasi ka marrë konfirmimin për arrestimin e tij, ka dërguar dokumentet në prokurori dhe që sot pritet të fillojnë procedurat me qëllim dërgimin e dosjes pranë gjykatës gjermane, e cila do të vlerësojë nëse turku i arrestuar do të ekstradohet në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, procedurat për ekstradimin e tij po ndiqen nga një grup pune, mes policisë, prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
U lirua në Itali
Nga të dhënat mësohet se Ekinci, pasi u dorëzua në Brindizi, ku uli edhe avionin e marrë peng, që u nis nga Rinasi, ka qëndruar për një afat të pacaktuar në paraburgim në Itali. Më vonë, ai është lënë i lirë dhe nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka tentuar të largohet drejt Danimarkës, pasi siç kishte deklaruar edhe kur u arrestua për herë të parë, nuk mund të kthehej në Turqi. Ngjarja për të cilën akuzohet në Shqipëri Hakan Ekinçi, 32 vjeç, ka ndodhur më 4 tetor 2006. Pas skadimit të lejes së qëndrimit, autoritetet shqiptare kishin vendosur të riatdhesojnë 32-vjeçarin turk, i cili pak çaste më vonë, pikërisht mbi hapësirën ajrore greke, do të vendoste pengmarrjen e avionit. Hakan Ekinci, mysliman i konvertuar në i krishterë mësohet se ka aplikuar për azil politik në Shqipëri e kur nuk ia ka arritur, ka thurur planin e rrëmbimit të avionit me të cilin po riatdhesohej, duke kthyer “sytë” e gjithë botës drejt tij. Ka kërkuar ta çojnë në Romë, për t’i kërkuar ndihmë Papës, e për këtë motiv ka detyruar ndryshimin e kursit të avionit të linjës Tiranë-Stamboll me 113 persona në bord. E gjithë historia e pengmarrjes ka nisur pak minuta pas daljes nga hapësira ajrore shqiptare, pikërisht kur avioni ndodhej në hapësirën ajrore të Greqisë. Ekinci, krejt i paarmatosur, ka hyrë në kabinën e pilotimit të “Boeing 737” dhe është shtirur sikur kishte një shpërthyes të fuqishëm, që mund të hidhte në erë avionin, duke diktuar ndërrimin e kursit të avionit.
Kërkesa për ndihmë
Në fillim u përhap lajmi që pengmarrja po bëhej nga dy persona, blof ky i pengmarrësit Hakan Ekinci dhe që po bëhej si një shenjë proteste kundër vizitës së Papës në Turqi, vizitë kjo e planifikuar për në datën 28 nëntor. Televizionet turke kanë bërë të ditur identitetin e pengmarrësit Hakan Ekinci, një dezertor i ushtrisë, i konvertuar në i krishterë në vitin 1998. Ekinci i ka shkruar Papës dhe në të shkuarën, për t’i bërë të ditur atij çështjen e tij dhe për ta ndihmuar atë që të mos kthehej në Turqi. “I dashur Papë, jam Hakan Ekinci, jam i krishterë dhe nuk dua që t’i shërbej një ushtrie myslimane”. Në mesazh, ai kërkonte ndërhyrjen e Benediktit XVI, si një udhëheqës i të krishterëve dhe i botës së krishterë, për ta ndihmuar që të mos e kryente shërbimin ushtarak dhe për të mos jetuar në një vend mysliman. Pas uljes në Brindizi, devijuesi i avionit ka shfaqur menjëherë dëshirën për të kërkuar azil politik. Pas dorëzimit, i pari që ka lënë avionin ishte një anëtar i ekuipazhit, i cili u ndoq më pas nga turku që iu dorëzua policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›