E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Memaliaj i kërkuari për disa vjedhje në Tiranë

Policia e Tepelenës ka vënë dje në pranga një 39-vjeçar nga Tirana që policia e kishte skeduar si autor të shumë vjedhjeve dhe dhunimeve të kryera në Gjirokastër e Tepelenë. Arrestimi i tij u bë në qytetin e Memaliajt të shtunën rreth orës 23:30. Sipas policisë, Arben Çeço, 39 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë është arrestuar, pasi gjatë tentativës së tij më të fundit për të vjedhur ka dhunuar banesën e shtetasi A.K., në lagjen Nr.1 të Memaliajt. Njoftimi i policisë nënvizon se ky shtetas pasi ka prishur rrjetën mbrojtëse të dritares së dhomës së gjumit të kësaj familjeje ka hyrë brenda banesës. Por tentativa e tij për të vjedhur ka dështuar, pasi të zotët e shtëpisë e kanë dëgjuar dhe janë përleshur me të. Në momentin e përplasjes, familjarët e dhunuar kanë kërkuar ndihmë te fqinjët, të cilët fillimisht kanë njoftuar policinë. Pas kësaj në vendngjarje ka mbërritur grupi i gatshëm i Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe forcat e Stacionit të Policisë Memaliaj. Në këto rrethana, grabitësi ka kundërshtuar me dhunë edhe forcat e policisë që tentuan ta ndalojnë. Përpjekjet e tij për t‘u larguar kanë dështuar përsëri, pasi ai u kap dhe është shoqëruar forcërisht për në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Burime të policisë thanë gjithashtu se nga përleshja me pjesëtarët e familjes A.K. me këtë shtetas nuk ka të lënduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›