"I forti" i Vlorës u dënua me 23 vjet burg
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 23 vjet burgim të pandehurin Fotaq Zaharia, i akuzuar për tentativë vrasjeje të shefit të komisariatit, Gentian Musabelliu. Këtë plagosje ai e kreu bashkë me Armando Begën, shokun me të cilin ishte arratisur nga qelitë e paraburgimit të Vlorës në vitin 2000. Që nga ajo kohë, i shumëkërkuari Fotaq Zaharia ka jetuar duke u fshehur nëpër kodrat e qytetit dhe duke kryer njëkohësisht grabitje dhe gjobvënie. Madje, edhe plagosja e shefit të krimeve erdhi gjatë një tentative për të grabitur njerëz, ku policia ishte sinjalizuar dhe kishte ndërhyrë, por pa sukses. Prokurori kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burgim, por gjykata çmoi, se për të njohurin si "i forti" i Vlorës, duheshin dhënë dy vjet më pak burg. Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, iu deshën 53 seanca gjyqësore për t‘u bindur që i pandehuri Fotaq Zaharia ishte fajtor për pesë vepra kriminale për të cilat ai ishte edhe në gjykim. Më parë ai ka pasur edhe dy dënimeve të tjera, njërin me 25 vjet burg dhe tjetri me 12 vite heqje lirie për akuzat e rrëmbimit të një fëmijës 5-vjeçar me synimin përfitime ekonomike. Ngjarjet kanë ndodhur në qytetin e Vlorës, në një hark kohor nga vitet 1999 deri në vitin 2006, kur sipas hetimeve të kryera, Zaharia kishte kryer disa grabitje, rrëmbime dhe disa grabitje me armë. Disa vite më parë, i pandehuri 49-vjeçar, Zaharia, u rikthye në tmerr të banorëve që kalonin rrugët e fshatrave të qytetit të Vlorës. Këtij tmerri, nuk i shpëtuan edhe forcat e policisë së Vlorës, ku pas një aksioni për arrestimin e tij, Zaharia përdori fëmijët si mburojë duke qëlluar ndaj punonjësve të policisë me automatikë, plumbat e të cilit plagosën në qafë shefin e krimeve në qytetin e Vlorës, Gentian Musabelliu. I pandehuri Zaharia, deri në vitin 2006, kryesonte listën e personave shumë të kërkuar, pasi në qershor të vitit 2001, në rrethana misterioze mundi të largohet së bashku me tre bashkëvuajtësit e tij nga dhomat e paraburgimit të Vlorës, nga ku po priste shqyrtimin e çështjes së tij në Gjykatën e Lartë, pas rekursit të vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit, e cila e dënoi përfundimisht me 25 vjet burg.