E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, prokuroria nis hetimin

Prokuroria e Rrethit Tiranë ka filluar hetimet pas padisë së bërë nga Partia Socialiste ndaj Ministrisë së Brendshme për shpërdorim detyre dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare që ndryshuan sipas PS-së rezultatin e zgjedhjeve më 28 qershor.
Lajmi është bëri i ditur dje nga televizioni "Top Channel", që u referohet burimeve nga organi i akuzës. Sipas "Top Channel", oficerët e policisë gjyqësore kanë filluar grumbullimin e provave materiale në Ministrinë e Brendshme. Ata kanë marrë listën e emrave të shtetasve, të cilët janë pajisur me karta identiteti si edhe listën e emrave të shtetasve, të cilët nuk e kanë marrë këtë dokument.
Në cilësinë e provës materiale është kërkuar nga Prokuroria e Tiranës edhe letërkëmbimi që Ministria e Brendshme ka pasur me Partinë Socialiste.
Ministria e Brendshme i ka vënë në dispozicion materialet e kërkuara organit të akuzës së kryeqytetit, i cili për këtë çështje ka ngritur një grup hetimor me dy oficerë të policisë gjyqësore dhe një prokuror.
Partia Socialiste e Shqipërisë pretendon se përmes manipulimeve që janë bërë me kartat e identitetit, mospajisja me këtë dokument e shtetasve, si dhe shpërndarja e kartave sipas përkatësive partiake ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Padia iu dorëzua prokurorisë nga sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj.
Ndryshe nga paditë e bëra më parë me karakter politik, kjo është një ndër të paktat raste, kur prokuroria kryen hetime në lidhje me një akuzë e cila vjen nga një subjekt politik.
Procesi hetimor nis në një kohë kur Partia Socialiste, me 65 mandate deputetësh, ka vendosur të mos shkojë në Parlamentin me 140 vende, derisa të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›