Kapet në Portin e Vlorës i riu fierak me 4.5 kg heroinë

Heroina e bllokuar në Portin e Vlorës
VLORE – Trafik heroine nga Porti i Vlorës drejt Italisë, arrestohet 27-vjeçari fierak. Ermal Metaj, sipas Policisë së Vlorës është ndaluar pasditen e djeshme, ndërsa tentonte të lundronte me tragetin e linjës Vlorë-Brindizi. Plot 4.5 kg heroinë u bllokua nga policia, duke ndalur në mes rrugëtimin e trafikut. Ka qenë ora 17:00 e së hënës, kur trageti i linjës, i cili ishte me rreth 2 orë vonesë për shkak të mos paraqitjes në orar të pasagjerëve në hipje, po bëhej gati të nisej drejt Italisë. Nga kontrollet e ushtruara nga policia kufitare e portit të Vlorës, si dhe nga informacionet e marra në rrugë operative është identifikuar një automjet me targa të Fierit, i cili ishte duke shkuar drejt vendit fqinj në Itali. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip “Benz”, ngjyrë gri me targa FR 9733 B, është vërtetuar se në pjesën e parme dhe pikërisht në kroskot, ku është dhe fshirësja e xhamit, ndodhej një sasi e konsiderueshme heroine, e cila ishte e ndarë në 9 pako, me nga 500 gramë secila. Menjëherë forcat policore të portit të Vlorës, pra ato kufitare, kanë bërë arrestimin e të riut nga Fieri, 27-vjeçarit Ermal Metaj, i cili ishte dhe pronar i automjetit ku ndodhej droga, si dhe është bërë sekuestrimi i automjetit. Ndaj 27-vjeçarit rëndon akuza e shpërndarjes së drogave të rënda, si dhe kontrabandës së kësaj lënde. Ky është rasti i tretë brenda dy muajsh që kapen sasi të lëndëve narkotike në pikën e kalimit kufitar të Vlorës. Burime nga Policia portale bënë të ditur se arrestimi i të riut fierak është kryer pas sinjaleve të marra në rrugë operative për veprimtarinë e trafikut të drogës. Mjeti i tij është kontrolluar sapo ka mbërritur në port, nga ku u zbulua edhe sasia e drogës, e cila do të kapte një vlerë të konsiderueshme parash nëse do të arrihej trafiku i saj. Ende nuk ka të dhëna se nga është marrë dhe se në cilin qytet italian do të ishte destinacioni i saj. q.b