E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet në Fier këshilltari i PR-së

Nga një mbledhje e Këshillit Bashkiak të Fierit

Pranga për t’u ekstraduar. Biznesmeni i njohur u përmend nga WikiLeaks për lidhjet me politikën.

Fatmir Kajolli, i dënuar 40 vjet burg për trafik droge në Itali.

Arrestohet në Fier për qëllim ekstradimi biznesmeni dhe kë-shilltari republikan në Këshillin e Bashkisë e Qarkut, Fatmir Kajolli. Ai akuzohet nga Drejtësia italiane për trafik lëndësh narkotike dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Kajolli, 47 vjeç, u prangos pasditen e djeshme në qytetin e Fierit, aty ku jeton dhe zhvillon aktivitetin politik dhe privat prej shumë vitesh. Emri i tij u shfaq dhe në kabllogramet e WikiLeaks, pasi ish-ambasadori Uidhers përmendte Kajollin si person me precedentë, i lidhur me politikanë në Fier.
Policia e Fierit, në një deklaratë zyrtare të saj, tha dje se arrestimi i Fatmir Kajollit është bërë për llogari të Drejtësisë italiane. Në bazë të njoftimit të kësaj policie, mësohet se ndaj 47-vjeçarit ekzistojnë dy masa dënimi. Konkretisht, në vitin 2000, Gjykata e Milanos e ka dënuar Fatmir Kajollin me 16 vjet burg, me akuzën e pjesëmarrjes në organizata kriminale me qëllim trafikim të lëndëve narkotike. Vendimi tjetër që rëndon ndaj këshilltarit republikan, sipas Policisë, është ai i vitit 2001, dhënë nga Gjykata e Romës në Itali. Ajo e ka dënuar Kajollin në atë kohë me 24 vjet heqje lirie, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Të dhënat e Policisë kanë qenë të pakta në lidhje me arrestimin e 47-vjeçarit, biznesmen i njohur në qytet dhe prej disa vitesh pjesëmarrës aktiv në jetën vendimmarrëse të Fierit. Ajo që konfirmohet nga Drejtoria e Policisë së Fierit është fakti se arrestimi i Kajollit është bërë për qëllime ekstradimi dhe ndaj tij nuk rëndon asnjë akuzë në Shqipëri. Mësohet se Kajolli nuk ka qenë person në kërkim, edhe pse datat e vendimit të dy gjykatave italiane janë të mbi 1 dekade më parë. Sipas Policisë, urdhri i shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga ana e palës italiane është bërë ditët e fundit. Fakti që në vend Fatmir Kajolli nuk rezulton me precedentë penalë, do të thotë që i mbetet gjykatës të vendosë për ekstradimin e tij drejt shtetit fqinj. Ndonëse për palën shqiptare 47-vjeçari është person i pastër në dosjen e tij, emri i Kajollit doli në skenë vitin e shkuar, pas publikimit masiv të kabllogrameve, nga ana e WikiLeaks. Në një kabllogram sekret që ish-ambasadori amerikan ka dërguar në Departamentin e Shtetit në gusht të vitit 2009, një vit para se të përfundonte mandatin, Uidhers raportoi për të gjitha lidhjet e disa deputetëve, sipas tij, me krimin e organizuar. Ai përmendi emrin e këshilltarit të Partisë Republikane, Fatmir Kajolli, si bashkëpunëtor me politikanë në çështjen e trafikut të lëndëve narkotike. Pritet që ditën e sotme të jepen detaje në lidhje me arrestimin e Kajollit dhe faktin pse u lëshua vetëm në fillim të këtij muaji urdhri i arrestit ndërkombëtar për të.

Kabllogrami i Uidhers në 2009
Në shtator të vitit të shkuar, mediat publikuan një pjesë të kabllogrameve sekrete të zbuluara nga WikiLeaks. Në të citohej raporti sekret i isha-ambasadorit amerikan, Uidhers për politikanët shqiptarë. Sipas tij, “ministri aktual i Punëve Publike dhe Transportit dhe deputet i PD-së në Fier, dyshohet për kontrabandë mallrash dhe narkotikesh. Prova rrethanore e lidhin Olldashin me Fatmir Kajollin në Fier, për të cilin ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, përdori një skemë për ta liruar nga burgu për të vepruar si komisioner”.

Kajolli, biznesmen dhe këshilltar në Fier
Prej dy mandatesh, Fatmir Kajolli është këshilltar bashkiak në Fier, duke përfaqësuar Partinë Republikane. Pas zgjedhjeve të fundit, me konstituimin nga e djathta të Këshillit të Qarkut, ai u zgjodh dhe si përfaqësues i këshilltarëve. Në qytetin e Fierit ai njihet si biznesmen i suksesshëm. Disa muaj më parë, firma e tij fitoi tenderin e linjës urbane të qytetit të Fierit, ndërsa më parë ka fituar dhe tenderin e menaxhimit të parkimit të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›