E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cërrik, ringjallet në një shkollë emri i Drita Çomos

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të shkollës në Cërrik

CERRIK/ Përjetësohet në emrin e shkollës 9-vjeçare.

Belishova: Çdo ditë do ti thoni mirmëngjes Dritës.

U persekutua që kur ishte 2 vjeçe dhe e la këtë botë kur mbushi 23. Por, ashtu siç ndjente që kishte dritë në fund të humnerës, me këtë optimizëm do të përkujtohet nga brezat Drita Çomo. Emri i saj është gdhendur në shkollën më të re 9-vjeçare të qytetit të Cërrikut, aty ku jetoi ato vite që sëmundja dhe internimi ia këputi në mes vajzës së re. Bijë e Liri Belishovës, anëtare e Byrosë Politike dhe Maqo Çomos, ish-ministër i Bujqësisë, Drita Çomo u internua me familjen në qytetin e Cërrikut, aty ku do të kujtohet çdo ditë. Këshilli Bashkiak i Cërrikut, me vota unanime ka vendosur që shkolla 9-vjeçare më e re e këtij qyteti të mbajë emrin e Dritës. Ceremonia e rastit është organizuar dje, ku morën pjesë veç nënës së saj, Liri Belishova, personalitete të politikës dhe kulturës në vend, si ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, deputetë të Elbasanit, deputetja Rajmonda Bulku, bashkëmoshatare e saj, si dhe ish-mësues e shoqe të Dritës. Emri i ri i kësaj shkolle i përket asaj vajze të talentuar, që regjimi komunist, si qindra të tjerë, i kishte persekutuar dhe internuar në shumë qytete e fshatra të Shqipërisë.
Në fjalën e saj, nëna e Dritës, Liri Belishova, duke falënderuar të pranishmit, si edhe Këshillin Bashkiak, ka shtuar se ky është një vendim i drejtë, por në veçanti ka falënderuar të gjithë të pranishmit, deputetë, qytetarë të Cërrikut, ku ajo ka jetuar për një kohë të gjatë. Është një ditë shumë e rëndësishme, pasi do të mendoj këtej e tutje se çdo ditë nxënësit e arsimtarët e kësaj shkolle do ta fillojnë mësimin duke i thënë Dritës: Mirëmëngjes Dritë, mirëmëngjes motra jonë e dashur. Deputetja Bregu, duke vlerësuar Këshillin Bashkiak për emrin e vënë kësaj shkolle të re, të financuar nga qeveria, ka deklaruar se Drita ishte simboli i dërrmimit të pafajësisë nga diktatura. Jam e bindur që ju do të keni mundësi çdo ditë të thoni me krenari që keni mësuar në shkollën me emrin Drita Çomo. Në këtë ceremoni kanë përshëndetur edhe ish-mësues të Dritës, duke ngritur lart vlerat e një nxënëseje të dalluar, fjalëpak, e mbi të gjitha të heshtur nga vetë koha ku edhe ajo jetoi. Drita u rrit në një qytet të varfër, por edhe bujar me të gjithë të internuarit, porse fati nuk i dha jetë, duke u ndarë në kulmin e moshës, nga një sëmundje e pashërueshme. Urtësia dhe mençuria e Drita Çomos çmohen dhe mbahen mend nga brezi që jetoi ajo, sikurse zgjuarsia dhe talenti, si poete dhe prozatore.

Ish-mësuesi: Mbledhja pasi takoi të atin
Në kujtimet e mësuesit të saj të matematikës në gjimnazin e Cërrikut, Rudolf Deliana, Drita ishte një vajzë e heshtur, e zgjuar dhe e dashur, edhe pse atë e shprehte vetëm me sy dhe me heshtjen e saj. Një mbledhje e jashtëzakonshme u zhvillua në shkollë, ku merrnin pjesë anëtarë të byrosë. Në të do të diskutohej për Dritën, pasi ajo kishte bërë një gabim të pafalshëm. Kishte shkuar të takonte babanë e saj në burg. Pyetjet ishin kërcënuese, por ajo e vendosur dhe me guxim, me fjalën e saj preku të pranishmit duke thënë se: dashuria për prindin nuk mund të shkulet nga zemra e fëmijë, pavarësisht nga kushtet shoqërore dhe njerëzore të tyre. Njëri nga të deleguarit u revoltua dhe iu drejtua Dritës me fjalët: po nxjerr nga goja fjalë të bukura, por janë karamele me helm Drita.

Ëndrrat e parealizuara të Dritës

Drita Çomo

E gjithë jeta e familjes Çomo ndryshoi pas dënimit të anëtares së Byrosë Politike, Liri Belishova dhe të shoqit të saj, Maqo Çomo, ish-ministër i Bujqësisë, që u dënuan në vitin 1960 si revizionistë armiq të partisë së popullit. Për 30 vjet u persekutuan në burgjet dhe internimet e Partisë Komuniste. Ajo ishte një vajzë e shkëlqyer në mësime, por për hir të kohës, asnjë nuk afrohej me të. Drita lexonte libra duke qenë abonente e rregullt e bibliotekës së Elbasanit. U sëmur me kancer në moshë të re dhe çdo javë udhëtonte e vetme drejt Tiranës për të ndjekur kurat, pasi e ëma nuk lejohej të lëvizte jashtë qyteti pa marrë leje te kryetari i Këshillit në atë kohë.  Drita vdiq në krahët e infermieres, pa pasur pranë nënën e saj, e cila u desh të shoqërohej me mjetin e Sigurimit të Shtetit për të marrë trupin e pajetë të vajzës së bukur dhe të brishtë të saj, e cila ndërroi jetë në orët e vona të natës së 19 shkurtit të vitit 1981. Ditarin që mbante me vete në spital Drita ia dha infermieres, e cila e pa për herë të fundit gjallë. Në varrimin e saj ishin pjesëmarrës vetëm familja dhe punëtorët e shërbimit funeral, si edhe ish-punonjësit e Sigurimit të Shtetit të asaj kohe. Ditari dhe poezitë e saj i shkroi për vete, por që me anë të shënimeve të saj, një ditë me ardhjen e demokracisë, ato u botuan me titullin Dritë që vjen nga humnera. Parathënien e këtij libri e ka bërë shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, i cili riktheu historinë e Dritës në romanin e tij, E penguara.

CERRIK/ MIRANDA SADIKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›