E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Stamboll i dënuari me 15 vjet burg

Autori i Lajmit: red.
I shumëkërkuar nga Interpoli prej më se tetë vjetësh, ka përfunduar në pranga 43-vjeçari Engjëll Zeqo, pasi akuzohet për vrasje dhe është dënuar me 15 vjet burg. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat turke ku theksohet se Zeqo qëndronte në Turqi që nga viti 2001 me identitet tjetër. Burime nga policia bëjnë të ditur se ai akuzohet për vrasje të kryer tetë vjet më parë. Gjykata shqiptare e ka dënuar atë në mungesë me 15 vjet burg. Pas informacioneve të mbledhura, policia e Stambollit ka organizuar një operacion në lagjen “Gazi Osman Pasha” në periferi të metropolit turk. Sipas të njëjtave burime, mësohet se të informuar më parë nga pala shqiptare, e cila kishte dërguar shenjat e gishtërinjve dhe fotografi të Zeqos, policia turke ka arritur ta arrestojë atë. Fillimisht, Zeqo ka kundërshtuar duke thënë se nuk ishte personi që ata kërkonin. Hetimet kanë zbardhur se ai mbante një pasaportë me identitet Durim Myrtaj. Pas identifikimit të fotografisë dhe shenjave të gishtërinjve, policia e ka shoqëruar atë për në burgun e Metrisit në Stamboll. Policia ka bërë të ditur se sipas verifikimeve, Engjëll Zeqo ka hyrë për herë të parë në Stamboll në vitin 2001. Ndërkohë, pritet që pas plotësimit të dokumentacionit përkatës, Zeqo do t u dorëzohet autoriteteve shqiptare.
Ky lajm është publikuar: 04/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›