E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Kumbaro, nisin verifikimet në Londër dhe Tiranë

Autori i Lajmit: red.
Policia londineze ka gjetur në shtëpinë e Ilir Kumbaros një certifikatë shqiptare. Ky fakt hedh poshtë alibinë e ish-funksionarit të SHIK-ut për origjinën e tij. Ilir Kumbaro, i dyshuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, ka pretenduar se nuk ishte shqiptar. Një tjetër fakt që pritet të verifikohet është dhe fakti se Kumbaro ka shkelur dy herë në Shqipëri gjatë kohës që ka jetuar në arrati. Këto dy dyshime pritet të verifikohen nga policia shqiptare dhe ajo britanike. Ndërkohë javën e shkuar Gjykata londineze ka vendosur shtyrjen e seancës pas kërkesës së avokatit mbrojtës të ish-oficerit të SHIK-ut për Tiranën, i akuzuar për rrëmbimin dhe zdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Kumbaro rezulton me dokumente çeke dhe prej tyre ka përfituar edhe azil politik në Angli.
Pretendimet
Mësohet se Kumbaro pretendon se është shtetasi nga Kosova, Shaqir Shatri, ose i njohur si Shaqo Shatri, i cili është paraqitur në vitin 1996, për azil në Angli me këtë emër, duke e fituar atë. Me këtë emër rezulton të ekzistojë dhe një shtetas çek. Personi që dyshohet të jetë ish-oficeri i lartë i shërbimit sekret, Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, u arrestua në Londër më 18 tetor. Ai u arrestua nga Interpoli pas një kërkimi intensiv ndërkombëtar. Në banesën e shtetasit të arrestuar janë gjetur një sërë dokumentesh të falsifikuara. Këto dokumenta dhe të tjera të dërguara nga Tirana do të paraqiten si argumente për të vërtetuar se personi i arrestuar është Ilir Kumbaro.
Arrestimi
Ish-kryetari i degës së Parë në Drejtorinë e SHISH Tiranë, Ilir Kumbaro, kërkohej nga prokuroria dhe Interpoli shqiptar me një emër të rremë. Ilir Kumbaro fshihej jashtë Shqipërisë me një identitet të rremë. Dyshimet e Prokurorisë dhe Interpolit ishin se që prej vitit 1997, kur besohet se ka ikur nga Shqipëria, Ilir Kumbaro, njëri nga katër ish-shikasit e akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ka qëndruar në Angli. Mësohet se urdhërkërkimi ndërkombëtar për Ilir Kumbaron u rinovua dhe të dhënave mbi identitetin e tij iu shtua edhe një emër i dytë, i rremë, që dyshohet se përdorej nga ish-zyrtari i Shërbimit Informativ për t i shpëtuar ndjekjes dhe arrestimit nga policia. Burime nga policia bëjnë të ditur se Ilir Kumbaro është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2003, kur Prokuroria e Tiranës arrestoi tre të akuzuarit e tjerë për ngjarjen: Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave, Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas hetimeve janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ.

“Remzi Hoxha”, kapet në Londër Ilir Kumbaro
Është vënë në pranga ish-oficeri i SHIK-ut, Ilir Kumbaro, i cili është një ndër të akuzuarit e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha. Burimet konfirmojnë se prangosja e Kumbaros erdhi pas një kërkimi ndërkombëtar nga Interpoli. Ai është ruajtur dhe përgjuar për një kohë të gjatë deri në finalizmin e aksionit policor. Për të fshirë gjurmët, Kumbaro ka bërë disa herë manovra duke ndryshuar adresë nëpër lagjet e londineze. Dosja “Remzi Hoxha” ka në bankën e të akuzuarve 4 të pandehur, të gjithë ish-punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. Gjatë seancave të deritanishme gjyqësore kanë qenë vetëm Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini. Ky i fundit aktualisht drejtor i Tatimeve. Kanë munguar në seanca gjyqësore Budjon Meçe, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe Ilir Kumbaro që ishte në arrati. Por tani pritet që edhe Kumbaro të jetë para trupit gjykues pas ekstradimit nga Anglia. Ende nuk dihet se sa kohë mund të zgjasë ekstradimi i tij.

Ky lajm është publikuar: 04/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›