E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, "lojë nervash" me deklaratat e shtypit

Pas deklaratave në nivel kryetarësh, dy partitë kryesore politike zhvilluan një "lojë nervash" me njëra-tjetrën. Zëdhënëset e dy partive kryesore politike vijuan replikat përmes konferencave të shtypit. "Në emër të opozitës sqaroj se është Sali Berisha që e mbështet mbi mashtrimin moshapjen e kutive, jo opozita", u shpreh zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj. Ne, vijoi ajo, nuk kërkojmë rinumërim të votave po hetim të zgjedhjeve. "Ne s‘kemi punë me vendimin e gjykatës për zgjedhjet, po me të drejtën e Parlamentit për të hetuar me ligj procesin zgjedhor. Në qoftë se Sali Berisha nuk do hapjen e kutive le t‘i hapë rrugë zgjedhjeve të reja", u shpreh ajo. Zëdhënësja e PD-së Erla Mëhilli tha se "Imeraj më në fund, dhe për herë të parë që nga 28 qershori, deklaroi në emër të opozitës se opozita nuk kërkon rinumërim të votave as ndryshimin e vendimit të gjykatës, por kërkon hetim parlamentar të zgjedhjeve". Partia Demokratike deklaron se mbetet e gatshme dhe e hapur për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në përputhje me Kushtetutën, ligjin organik të Komisioneve Parlamentare dhe Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të Komisionit Parlamentar. Forca kryesore në pushtet i përmbahet angazhimit të saj publik se në këtë komision, pavarësisht se ligji i Komisioneve parashikon në mënyrë taksative që mazhoranca ka shumicën e komisionit, të krijojë pas zgjedhjes së Komisionit mundësinë që shumicën ta ketë opozita, duke tërhequr anëtarët e saj. Pas kësaj deklarate të Partisë Demokratike erdhi një tjetër komunikim me median nga partia kryesore e opozitës. "Përsëri Berisha mashtron! E kemi thënë gjithnjë nuk duam rinumërim të votave për efekt të mandateve, po hetim të zgjedhjeve, duke filluar sigurisht nga kutitë, nga hetimi i numrit të votave, nga listat e votuesve dhe procesverbalet në kuti", sqaroi zëdhënësja Imeraj. E kanë marrë vesh të gjithë, shtoi ajo, që Sali Berisha e di se nuk i ka në kuti votat për të justifikuar mandatet që ka marrë. "Po duke mbajtur peng kutitë do t‘i humbasë të gjitha mandatet", theksoi ajo. Sakaq, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela reagoi mbrëmë pas deklaratave të Partisë Demokratike. "Kemi të bëjmë me një tymnajë. Hapim komision thotë por pa objekt. Ky është karakteri Salist i logjikës politike. Shprehje e qartë e barbarisë politike", tha Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›