Kapet në banesë me 40 kallëpe tritoli
Nisur nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Qarkun Shkodër, ku janë vendosur lënde plasëse në dy banesa, brenda dy javësh, policia veriore ka nisur gjuetinë ndaj poseduesve të lëndëve plasëse. Pasditen e djeshme, pas një operacioni të koduar “Ndezësi”, policia e Shkodrës ka vënë nën pranga shtetasin Roland Lumçi, 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në fshatin Pistull të Komunës Haimel janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme municionesh e lëndësh plasëse. Konkretisht, burimet policore bënë të ditur se kanë bllokuar 23 kallëpe tritol, secili 250 gramë, katër kallëpe tritol, secili 500 gramë, 16 kapsolla me fitil ndezës, tre kuti me barut, katër kapsolla elektrike, tre metër fitil, një thikë dhe 36 fishekë. Sipas burimeve nga policia, gjetja dhe sekuestrimi i materialeve të sipërpërmendura, është bërë e mundur në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative. Ndaj të arrestuarit Rolan Lumçi janë ngritur akuzat “prodhim dhe mbajtje pa leje të municioneve luftarake” si dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armeve të ftohta”.
#